Shqipëria

Berisha të rinjve: Zgjedhjet kompetencë e juaja, Bashës mësojani ABC-në e demokracisë


“Forumi juaj ka statutin, drejtuesin, trashëgiminë e tij. Askush nga ju nuk është kundër zbatimit statutit, kundër proceseve zgjedhore, por janë kompetencë e juaja ekskluzive. Do jeni ju që do përcaktoni si do zgjidhni përfaqësuesit”.

Kështu është shprehur ish-kryeministri, Sali Berisha duke folur në “Foltoren e Rinisë” në Tiranë, ku është i shoqëruar nga kreu i Forumit Rinor të Partisë Demokratike (FRPD), Belind Këlliçi, njëkohësisht dhe deputet i PD-së.

Gjatë fjalës së tij, Berisha i bëri thirrje, kryetarit të PD-së Lulzim Basha “që të vijë dhe të përballet me rininë”.

“Do jeni ju që do përcaktoni si do zgjidhni përfaqësuesit. Lulzim Bashën e ka kap një frikë e tmerrshme nga anëtarët e partisë. Nga ju është tmerrësisht i pashpresë. Ju sugjeroj ta ftoni në debat dhe të mësojë nga ju ABC-në e demokracisë”.

Ish-lideri historik i PD-së theksoi se kanë për qëllim “të rikthejmë votën, forumet në PD që kryetari i shkelmon”.

“Të vendosim pavarësinë e FRPD-së dhe Lidhjes së Gruas, që është e vërtetë se janë mbështetës të programit të PD-së, por janë të pavarur”.

Dy ditë më parë, në një deklaratë për mediat, Këlliçi, e ka konsideruar nul vendimin e kryedemokratit, Lulzim Basha, për të zhvilluar zgjedhje brenda kësaj strukture.

Kështu ai ka dalë kundër vendimit të Bashës.

Vendimin e këtij të fundit, Këlliçi, e ka cilësuar “jashtë kompetencave”.

“Duke qenë se PD-ja është në krizë të thellë, e gjykojmë se nuk është momenti, që të uzurpohet Partia Demokratike. Unë gjithmonë kam dashur të mos humb as edhe një anëtar të PD, e jo më të fusim Partinë Demokratike në konflikt”, u shpreh ai.

Të shtunën e 6 nëntorit Lulzim Basha, deklaroi se në zgjedhjet e FRPD-së, do zbatohet parimi një anëtar një votë, për të zgjedhur përfaqësuesit dhe kryetarin.

Basha i ka cilësuar sajesa për interesa personale akuzat se vendimi për zgjedhjet në FRPD vjen pasi kreu i kësaj organizate Belind Këlliçi ka deklaruar se do të marrë pjesë në “Foltoren” e Berishës.

“Jo nuk është aspak e vërtetë, sajesë e fabrikuar për interesa personale. Për herë të parë FRPD nën drejtimin tim ka zhvilluar zgjedhje me një anëtar një votë. Për fat të keq prej dy vitesh mandati i kryetarit ka skaduar dhe sërish të rinjtë dhe të rejat do zgjedhin me një anëtar një votë kryetarin. Asgjë nuk mund të pengojë PD të zbatojë normat statutore të demokracisë”, tha Basha.

FRPD-ja ka nisur të premten e 5 nëntorit procesin e riorganizimit dhe zgjedhjeve në të gjitha strukturat.

Kryetari PD-së, Lulzim Basha udhëzoi nisjen e procesit të rifreskimit të strukturave dhe ngritjen e një grupi pune që do të mbikëqyrë procesin, pasi mandati i shumicës dërrmuese të drejtuesve të FRPD-së ka mbaruar dhe një pjesë e drejtuesve kanë tejkaluar moshën.

Kryetari i FRPD-së dhe i forumeve drejtuese kanë mandat 4 vjeçar, ndërsa anëtarët e forumit mund të jenë pjesë e forumit deri në moshën 35 vjeç.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore