Shqipëria

Berisha niset drejt SPAK: Ndihem më i motivuar se kurrë


Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, mesditën e 11 shtatorit ka dalë nga arresti i shtëpisë për t’u paraqitur në Prokurorinë e Posaçme.

Kjo për t’u njohur me akuzat që do t’i transmetohen nga prokurorët atij dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, në lidhje me dosjen Partizani.

Berisha në fjalën e tij të shkurtër përpara medias theksoi se ndihet më i motivuar se kurrë.

Ai u shpreh se sot pret një vendim politik të Edi Ramës, “i cili ka zgjedhur mënyrën për të siguruar mandatin e katërt, por atë do t’ia djegim”.

Gazetarët e pyetën  nëse kryedemokrati ka një kandidat rezerve për kryeministër nëse gjerat shkojnë keq.

“Këtë e do Edi Rama, por jo nuk do e caktojnë kurrë as kandidatin, as kryeministrin dhe as kryetarin e PD”.

Çfarë pritet të ndodhë?

Prokurorët e SPAK pritet t’i vënë përballë Berishës e Malltezit provat e gjetura kundër tyre, dhe t’i ballafaqojnë dhe t’i pyesin mbi gjetjet e deritanishme të grupit të hetimit për dosjen e Partizanit.

Sa i takon detajeve të tjera, nëse do ketë rëndim apo lehtësim të akuzave, pritet të mësohen gjatë seancës.

Ndërkohë, njëkohësisht është bërë thirrje dhe për një protestë, në orën 12:00, koha kur Berisha pritet të mbërrijë në SPAK.

Ish-kryeministri Berisha akuzohet se ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, për të favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, një ndër pronarët e truallit ku shtrihej kompleksi sportiv, mbi të cilin ndërtoi më pas 19 kulla.

Ndërkohë, Malltezi akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash, pasi ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij, Berisha.

Me çfarë ka të bëjë konkretisht çështja e Berishës?

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë (SPAK) do të zbulonte përmes një njoftimi zyrtar detajet hetimore lidhur me privatizimin e ish-kompleksit të klubit Partizani.

Në mesin e të akuzuarve ishin ish-kryeministri Sali Berisha me veprimet e tij konkrete për të bërë që dhëndri i tij Jamarbër Malltezi të përfitonte nga kjo skemë e parregullt.

Më saktë, objekti i hetimit të këtij procedimi penal, sipas SPAK-ut, ishin veprimet e kryera nga funksionarë të lartë shtetërorë dhe persona të tjerë, për privatizimin e terreneve dhe objekteve sportive të “Klubit të Futbollit Partizani” dhe “Klubit Shumësportësh Partizani”.

Prokuroria e Posaçme dyshon se Berisha ka konsumuar veprën penale të ‘Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë’, e kryer në bashkëpunim me shtetasin Jamarbër Malltezi, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.

SPAK shton se Berisha në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, dyshohet se ka kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore.

Kjo, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtëpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte Jamarbër Malltezi.

Berisha, dyshohet madje se ka kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhrave konkrete, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe të Jamarbër Malltezit, vijon SPAK-u.

Sipas Prokurorisë, Berisha dyshohet se ka kryer po ashtu veprime aktive në vendosjen në dispozicion të Malltezit, të strukturave të ndryshme të administratës shtetërore për realizimin e procesit të privatizimit të pronës shtetërore.

Lajmi në përditësim 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore