Shqipëria

Berisha nis aksionin e “vërtetë” opozitar, nga votimet për Kryesinë e re


Është mbledhur Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike, për të zgjedhur Kryesinë e kësaj partie.

Në fjalën e tij, kryetari i ri i PD-së, Sali Berisha theksoi se “sot duhet të jemi opozitë e vërtetë”.

“Rithemelimi është proces vendimtar për shpëtimin e pluralizmit. Të jemi më të fuqishëm se kurrë, më të vendosur se kurrë. Dy janë sëmundjet e PD-së. E para lidhet me pazaret me qeverinë, për interesa personale. Ato detyrojnë udhëheqjen që të shkelmojë mbi interesat e anëtarëve. Shembulli më tragjik është PD në vitet e shkuara”.

Ndërsa, e dyta sipas tij “me efekte shkatërrimtare për opozitën është protagonizmi vantosh-opozitar”.

Berisha bëri me dije se misioni është shkurtimi i jetës së qeverisë së Ramës.

“Do jemi në lartësinë e misionit tonë se shpëtimi i Shqipërisë është shpëtim i identitetit kombëtar të shqiptarëve”.

Drejtimin e mbledhjes do ta zhvillojë kryetari i rizgjedhur i Këshillit Kombëtar, Edi Paloka.

Në nisje të mbledhjes së Këshillit Kombëtar, deklaroi se mbi 200 anëtarë të janë të pranishëm, duke plotësuar kështu kuorumin.

“Sot jemi në fazën përmbyllëse të një pune kolosale të energjive të çliruara nga PD, si radhë herë në këto vitet e fundit, mes vështirësive që si kishim imagjinuar. Kemi pasur një referendum të PD-së”, tha Paloka.

Ai theksoi se kanë pasur një palë zgjedhje lokale “që rezultuan do të thoja determinuese, jo vetëm për PD, dhe jetën tonë të brendshme, por iu tregua shqiptarëve se kjo parti edhe në këto kushte, jo vetëm mund të fitojë, por mund t’ju japë shpresë edhe atyre që i kishin humbur shpresat. E kam fjalën për fitoren që arritëm në Shkodër”.

Votimi pritet të nisë menjëherë pas kësaj hapjeje, ku çdo anëtar i Këshillit Kombëtar pritet të firmosë manualisht dhe elektronikisht për praninë në mbledhje.

Numërimi i votave më pas, do të jetë elektronik.

Procesi, siç është reklamuar nga struktura e të djathtëve, pritet të jetë transparent, ku do të shfaqen në ekran në kohë reale votimet.

Kështu, do të mësohen edhe emrat fitues të anëtarëve të rinj të Kryesisë.

Në garim janë 47 kandidatura, pas miratimit të listës në mbledhjen e zhvilluar dje nga Komisioni i Rithemelimit.

Në sy bien emra të spikatur të PD-së ndër vite, me rikthimin e Jozefina Topallit, Arben Imamit, Genc Pollos, apo edhe emra të rinj si Agron Shehaj, Belind Këlliçi e Floriana Garo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore