
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, përpara hyrjes në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë- katër muajsh pas përjashtimit nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike – përpara medias ka deklaruar i prerë se ai e ka gjetur mekanizmin se si të fitojë zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit.
“Kam gjetur mekanizimin si do i fitojmë zgjedhje të 6 marsit dhe shoh grind optimizmit në fitore”, tha Berisha.
Ndërsa sa i përket një negociate të mundshme me Lëvizjen Socialiste për Integrim, Berisha shtoi se, “do bëhet gjithçka. Negociatat janë në vazhdim dhe ne do i fitojmë këto zgjedhje. Këto janë zgjedhje ku ndeshet qytetaria me kleptokracinë”.
Berisha para medias ceku dhe protestën e banorëve te lagjja “5 Maji” në Tiranë, ku ftoi të gjithë qytetarët që t’i bashkohen banorëve që iu shembën shtëpitë.
“Unë personalisht mbështes zhvillimin e qytetit, projektet që e bëjnë më të jetueshëm por nuk mbështes barbarinë ndaj qytetarëve të tij”, tha ish-kryeministri në fjalën e tij.
Sipas Berishës përfaqësues të ndërtimit të atyre pallateve janë përfaqësuesit e kreut të PD-së, Lulzim Basha.
Ndërsa sa i përket mungesës së tij në Kuvend për katër muaj, Berisha tha se ishte “në një nga parlamentet më të madhërishme në 30 vitet e fundit”.
Kësaj të fundit ai i referohet foltoreve me demokratët, dhe ai rikthehet tashmë në parlament në “respekt të popullit”.
Berisha në Kuvend
Berisha gjatë seancës së dytë plenare për këtë vit nga foltorja e Kuvendit nuk i ndali akuzat për kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe për Bashën.
Duke komentuar për raportin e “Transparency International” për korrupsionin në Shqipëri, Berisha tha se nëse vendi do të bëhet serioz në luftën kundër korrupsionit duhet të nis me hetimin e Ramës dhe Bashën.
“Në trajtimin e korrupsionit, Parlamenti duhet të ndalet te Rama i akuzuar nga Organizata për Bashkëpunimin dhe Sigurinë në Evropë për larjen e 200 milionë eurove në zonat offshore që nuk e përgënjeshtroi kurrë. Jo më pak Basha që u hetua nga Prokuroria e Tiranës për larje parash dhe iu mbyll hetimi’, tha Berisha në fjalën e tij.
Duke ripërmendur protestën e banorëve të “5 Majit”, Berisha kërkoi që të ngrihet një komision hetimor për Ramën dhe Bashën.
Ish-lideri i PD-së përmendi edhe “aferën korruptive të inceneratorëve”, duke e quajtur komisionin hetimor të ngritur “tallje me shqiptarët”.
Duke përmendur arratisjen e dy biznesmenëve – që kërkohen ndërkombëtarisht nga Policia e Shtetit për inceneratorët, përkatësisht Klodian Zoto dhe Stela Gugallja – Berisha akuzoi kreun e qeverisë dhe kryedemokratin për fshehjen e tyre në qyetetin e Lushnjës.
“Pas tre muajsh zero hetim sepse janë të zhytura. Është i zhytur si Rama dhe Basha. Janë bërë 298 denoncime që të gjitha mbeten në heshtje sepse Basha i implikuar në këtë aferë vetëm inekstremis lejoi që të publikohen një apo dy herë deklarata nga PD-ja”.
Në përfundim ai tha se kjo aferë është një vjedhje e përbashkët në Shqipëri.
Kujtojmë që për inceneratorët pas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme prapa hekurave është ish-ministri i mjedisit Lefter Koka.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com