Kosova

Berisha flet për “arritjet” e pushtetit: Pas urës së Saradranit është rregullimi i mikrofonave në Kuvend


Beke Berisha

Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha, ka ironizuar me “arritjet” e pushtetit të Lëvizjes Vetëvendosje, pasi që është rregulluar sistemi i teknologjisë në Kuvendin e Kosovës

Këtë, Berisha e ka bërë në fjalën e tij në seancën parlamentare të së enjtes, ku e konsideroi si “arritje”, normalisht në formë ironike, rregullimin e mikrofonave të deputetëve, duke thënë se është sukses tjetër i pushtetit pas urës së Saradranit.

“Po më gëzon një fakt se Kuvendi i Kosovës i paska ndreq mikrofonat. Pas urës së Saradranit kanë arritur që pas 4 vjetëve, mikrofonat e teknikën me ndreq”, tha Berisha.

Me ketë rregullim, Berisha theksoi – përsëri duke ironizuar – se “tash kemi me pas mundësi me fol edhe për arritjet tjera që i keni bërë ju”.

“Unë veç ju përgëzoj për këto punë të mira që po i bëni, me mikrofona, me urë të Saradranit krejt i keni kry – bravo u qoftë”.

Ndryshe, këtë të enjte, Kuvendi i Kosovës është duke zhvilluar seancën e parë parlamentare të sesionit vjeshtor.

Gjatë pauzës verore, në Kuvend janë zhvilluar punime, pasi që ka pasur disa probleme teknike.

Në fjalën e tij, Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, përshëndeti ambasadorin e Luksemburgut, dhe e falënderoi atë për ndihmën që i ka dhënë shteti i tij për riparimin e kuvendit.

“Në këtë seancë që po e fillojmë e kemi një mysafir special. E kemi të pranishëm ambasadorin e Luksemburgut, Eric Dietz bashkë me përfaqësuesit e agjencisë së Luksemburgut për zhvillim që na e ka mundësuar këtë teknologji të shkëlqyeshme në Kuvend në mënyrë që ta kemi një Kuvend funksional. Ambasada e Luksemburgut e mundësoi këtë investim”, tha Konjufca.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore