Shqipëria

Berisha çel nga Elbasani fushatën për kreun e selisë blu


Ish-lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, të premten e 13 majit ka nisur zyrtarisht fushatën për kreun e selisë blu. Konkretisht Berisha i nisi takimet me demokratët e qytetit të Elbasanit.

Ai e nisi fushatën e tij me fokusin te të rinjtë dhe çfarë duhet të ndryshojë, që këta të fundit të realizojnë ëndrrat e tyre.

“Gjithnjë kam menduar dhe mendoj, nga t’ia nisim për të ndryshuar këtë shoqëri dhe këtë vend, çfarë duhet të bëjmë ne për të realizuar qëllime që vendi të mos rrokulliset, që vendi të mos pakësohet kështu siç po pakësohet, të mos varfërohet kështu siç po varfërohet, por edhe të mos poshtërohet kështu siç po poshtërohet”, u shpreh Berisha.

Sipas Berishës, nuk ka faktor më të fuqishëm dhe interes më suprem se interesi kombëtar i njeriut.

Berisha theksin e vendosi te një opozitë e vërtetë kundër Partisë Socialiste, e cila ka fituar mandatin e tij të tretë radhazi në krye të qeverisë.

“Vendi duhet të ketë opozitë të vërtetë. Asnjëri nga ju, që nuk keni fituar asgjë këto muaj sakrifica, mundime, por e keni bërë sepse Shqipëria duhet të ketë opozitën e vërtetë sepse vetëm opozita e vërtetë fiton, vetëm ajo jep garanci për të fituar. Nuk ka interes më fisnik se interesi kombëtar, nuk ka fatkeqësi më të madhe se ta braktisësh atë në funksion të albanofobëve”, u shpreh ai.

Gjatë fjalës së tij, ish-kryeministri përmendi faktin se është shpallur non-grata nga SHBA-të, duke theksuar se kjo ka ardhur nga filantropi George Soros dhe kryeministri Edi Rama dhe jo nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

“Një antishqiptar i tërbuar, siç është George Soros, i faktuar në të gjitha projektet e tij për ndarje, përçarje të Kosovës, për ideologjinë e tij që nuk pajtohet kurrkund me vlerat që ne besojmë, që nuk pajtohet kurrkund me interesat tona e pa që kishte një pengesë në këtë rrugë dhe loboi fuqishëm kundër meje, duke shfrytëzuar Edi Ramën, bënë raporte mbi të cilat firmos Sekretari i Shtetit. Unë jam i sigurt se Anthony Blinken nuk është antishqiptar”, vijoi Berisha.

Gjithashtu, ish-kreu i bluve përmendi dhe rezolutën e propozuar nga vetë ai mbi “masakrën e Srebrenicës”, e cila nuk u miratua nga socialistët në seancën plenare të një dite më pare.

“S’kishte gjë më të rëndë se ajo e djeshmja – rrëzimi i rezolutës për Srebrenicën në Kuvend. Si mundet ne të mos kemi ndjeshmëri ndaj një kombi që, në një kamp, ka varrosur 8 mijë djem dhe burra. Si mundet?”.

Duke e quajtur turp veprimin e mazhorancës, Berisha ritheksoi se interesi kombëtar është e vetmja gjë që e motivon, “krenaria e të qenit shqiptar edhe në situatën më të vështirë që kisha faktuar në jetën time”.

Ndërkohë ai priti dhe sugjerimet e demokratëve se çfarë duhet bërë më mirë.

“Unë pres sot nga ju që të jepni mendimet tuaja, sugjerimet tuaja, çfarë duhet të bëjë PD, çfarë duhet të bëjmë ne për t’i bindur shqiptarët të mbrojmë interesin tonë kombëtar, të mbrojmë interesin e Shqipërisë dhe të ngrihemi fuqishëm se absolutisht edhe njëherë e them se tokë dhe vend me potencialet e këtij vendi nuk ekziston mbi tokë”, e përmbylli Berisha.

Kujtojmë se zgjedhjet për kreun e selisë blu do të zhvillohen të dielën e 22 majit. Përballë Berishës është demokrati Ibsen Elezi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore