Berisha angazhon lobistin e diktatorëve për të hetuar shpalljen non grata
Brixhilda Xhuraj
30.04.2023 8:29Lobistin Charlie Black, Sali Berisha e ka zgjedhur së fundmi për të hetuar shpalljen e tij non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kështu shprehet “Politico”, e cila ka publikuar kontratën me “Prime Policy Group” të Black, i cili ka qenë këshilltar në fushatat presidenciale të Ronald Reagan, George H.W. Bush, George W. Bush dhe John McCain.
Kontrata është “pro-bono”, çka do të thotë se kompania amerikane do ndihmojë Berishën mbi baza krejtësisht vullnetare pa përfshirë asnjë pagesë apo detyrim direkt ose indirekt.
Ky nuk do të ishte bashkëpunimi i parë mes ish-kryeministrit dhe lobistit amerikan.
Firma e tij përfaqësonte qeverinë shqiptare gjatë administratës së Berishës dhe në një intervistë kohë më parë, Black tha se ai ishte bërë mik me Berishën gjatë viteve dhe se të dy kishin mbajtur kontakte herë pas here.
“Politico” shkruan se e gjithë lëvizja ka ardhur pas aktakuzës në janar të ish-zyrtarit të lartë të kundërzbulimit të FBI-së, Charles McGonigal, pjesërisht për marrëdhënie të supozuara me një ish-operativ të inteligjencës shqiptare.
Kështu Berisha me sa duket sheh një hapje për të shtyrë çështjen e tij me zyrtarët në Washington.
Black theksoi se ka në plan të bëjë presion ndaj anëtarëve të Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit për të hetuar nëse ka ndonjë lidhje midis marrëdhënieve të McGonigal në Shqipëri dhe administratës së Bidenit.
“Ishte vendim i gabuar për të sanksionuar Berishën dhe familjen e tij, nuk jam në dijeni për asnjë provë”.
“Kongresi merr raporte të rregullta nga Departamenti i Shtetit për arsyet e një shpallje persona non grata”, tha ai në një deklaratë, duke u bërë thirrje ligjvënësve “të hetojnë se si erdhi kjo deklaratë e veçantë”.
Sipas tij, mund të ketë informacione të klasifikuara diku që “bien ndesh me atë që po them, por nuk e di, kështu që dua që disa njerëz të përgjegjshëm ta shqyrtojnë atë”.
Cili është Black?
Black u bë aktivist politik që herët.
Ai ishte drejtor politik i Young Americans for Freedom, kryetar themelues i Komitetit Kombëtar të Veprimit Politik Konservator.
Black vazhdoi të punojë për një ultra-konservator, Jesse Helms, gjatë fushatës së tij të parë në Senat në 1972, dhe më pas u bë drejtor politik i komitetit kombëtar republikan, ku ai punoi ngushtë me legjendarin Lee Atwater.
Vlen të theksohet lobimi i tij gjatë viteve 1980, kur lista e klientëve ishte një listë e liderëve të “pakëndshëm” që kërkonin favore nga Shtëpia e Bardhë dhe Capitol Hill.
Më e rëndësishmja, Black punoi në emër të Jonas Savimbi, lëvizja Unita e të cilit zhvilloi një fushatë brutale guerile kundër qeverisë angoleze të mbështetur nga Kubani në vitet 1980.
Sipas të dhënave të departamentit të drejtësisë amerikane, firma lobuese e Black shpenzoi shumë për të siguruar mbështetjen e Kongresit dhe Shtëpisë së Bardhë për Savimbi.
Kontrata midis firmës së Black dhe Savimbi në 1985 ishte 600 mijë dollarë.
Black dhe partnerët e tij lobuan gjithashtu në emër të Ferdinand Marcos, presidentit të Filipineve, i cili u rrëzua nga një revoltë popullore, Mobutu Sese Seko i Zaire, një nga diktatorët më të korruptuar në botë, dhe presidentit Mohamed Siad Barre të Somalisë, një tjetër diktator që ishte përmbyset përfundimisht.
Black është i papenduar për 30 vitet e tij në lobim.
Ai i tha “Washington Post” kohët e fundit se firmat e tij nuk përfaqësonin kurrë të huajt “pa folur më parë me departamentin e shtetit dhe Shtëpinë e Bardhë dhe pa u sqaruar me ta se puna do të ishte në interes të politikës së jashtme të SHBA”.