Shqipëria

Berberhana e shqiptarëve në Nottingham që nuk e kursen një birrë për klientët në pritje


Qyteti Nottingham i Mbretërisë së Bashkuar ka mirëpritur dy sipërmarrës të rinj shqiptar.

Në zemër të qytetit, ata e kanë shndërruar një ish-dyqan të Birds Bakery, në një berberhane të re.

Nën emrin “Gents of Notts” dhe e vendosur pranë Sheshit të Tregut të Vjetër, kjo sipërmarrje po premton prerje flokësh të burrave dhe djemve e jo vetëm kaq.

Teksa janë në pritje, klientët mund të pushojnë të ledhatuar nga shija e kafesë ose nga energjia e birrës. E kur berberët nisin të punojnë, para tyre shpalosen një sërë shërbimesh të ofruara prej tyre.

Këto shërbime fillojnë nga rroja me peshqir të lagur të nxehtë, te zbukurimi dhe rimodelimi i mjekrës deri te masazhet e kokës dhe qafës dhe prerjet e kohës.

Themeluesja, Anxhela Agaci, e ka hapur këtë biznes me partnerin Ermal Merdani, i cili dikur ka punuar në “Everyman Berber” aty pranë, para se kjo e fundit të mbyllej.

Ajo ka 12 vite që është shpërngulur nga vendi i saj për në Mbretërinë e Bashkuar.

Agaci ka treguar për tabloidin “Nottinghamshire Live” se biznesi i krijuar favorizon riciklimin. Thuajse gjithçka që përdoret aty për të vënë në punë berberhanen është blerë në ankand ose nëpër të ngjashmet që janë mbyllur.

Sipas saj, “asgjë nuk është sjellë krejt e re…përpiqem shumë t’i ricikloj gjërat dhe kjo gjë funksionoi shumë mirë”.

“Është një nga vendet më të mira në Nottingham. Është si një biznes familjar dhe shpresojmë se mund ta bëjmë atë të funksionojë dhe kështu, klientët mund ta ndiejnë atmosferën që duam t’u ofrojmë”, ka thënë ajo për tabloidin anglez.

Për të, synimi kryesor është që burrat dhe djemtë, pasi marrin shërbimet, të ndihen të përkëdhelur.

“I kemi pasuruar shërbimet me peshqirin e nxehtë dhe masazhet e kokës dhe qafës. Po përpiqemi t’u japim klientëve shërbimin më të mirë që mundemi me produktet më të mira si vaji maroken”, ka vijuar themeluesja.

Agaci nuk ka hezituar të tregojë se “jemi të përkushtuar për të fuqizuar burrat që të duken dhe të ndjehen fantastikë”.

Ndërkaq, berberi Tom Watson është shprehur se “të gjithë e dinë se është mirë të jesh i përkëdhelur dhe nën kujdes dhe mesazhi që duam t’u ofrojmë klientëve është që të ndjehen të qetë kur largohen”.

“Nuk është vetëm një prerje e bukur flokësh, por gjithashtu do të ndjehen të freskët dhe të relaksuar”, ka shpjeguar ai.

Sipas tij, vendi ku është pozicionuar berberhana është goxha i bukur dhe shumë qendror.

Nga ana tjetër, “Nottinghamshire Live” shkruan se “Birds Bakery” nuk e ka rihapur dyqanin pas bllokimit pasi qiraja kishte përfunduar.

Dhe se kompania është ende aktive në qendrën e qytetit në një degë më të madhe në Lister Gate, si dhe një degë tjetër në Victoria Center.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore