Shqipëria

Berat/ KLSH kallëzon dy ish-drejtorët dhe një punonjës të Kadastrës për shpërdorim detyre


Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar tre funksionarë të Drejtorisë Vendore të ALUIZNI-t në Berat.

Sipas njoftimit të KLSH-së, në zbatim të programit të auditimit nr.536/1, datë 14.05.2021, i ndryshuar, ka zhvilluar në subjektin Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (DVASHK) Berat auditimin.

Ky auditimin është kryer me objekt “Mbi auditimin e ligjshmërisë në kryerjen e procedurave të legalizmit të objekteve informale si dhe auditimin e procedurave të pranimit, administrimit, shqyrtimit dhe miratimin e dokumentacionit për regjistrimin fillestar të pasurive të paluajtshme dhe evidentimin e ligjshmërisë së mbivendosjeve”.

Ndërkohë, prej tij janë “konstatuar një sërë shkeljesh të kryera nga ana e dy ish-drejtorëve të Drejtorisë Rajonale të ALUIZNI-t Berat dhe një punonjësi me detyrë ish-regjistrues në ZVRPP Berat” (aktualisht DVASHK Berat).

Këta të fundit mësohet se kanë vepruar në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore përkatëse, si dhe mospërmbushjen e rregullt të detyrës së tyre.

Ata kanë konsumuar elementë të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal.

KLSH-ja, lidhur me këto shkelje, ka depozituar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat kallëzimin penal për dy ish-drejtuesit dhe ish-regjistruesin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore