Kosova

Ben Meir: Kurti t’u përmbahet kërkesave të BE-së


Alon Ben Meir

Alon Ben-Meir, konsulent dhe kolumnist i shumë mediave ndërkombëtare, tha se kryeministri kosovar, Albin Kurti, duhet t’u përmbahet kërkesave të Bashkimit Evropian (BE) sa i përket dialogut për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, posaçërisht në kontekstin e përpjekjeve të vendit të vogël ballkanik që të anëtarësohet në institucionet evropiane.

“Unë kam thënë shumë herë në të kaluarën se nëse Kosova dëshiron të anëtarësohet përfundimisht në BE, duhet të bëhet përparim ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Kryeministri Kurti duhet t’u përmbahet kërkesave të BE-së për këtë çështje të veçantë”, shkroi ai në platformën “X” të dielen, derisa përmendi edhe procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Sa i përket anëtarësimit në Këshillin e Evropës, ndonëse u mbështet nga shumica në Asamblenë e Parlamentare të KiE-së muajin e kaluar, shtetet perëndimore i vendosën Kosovës një kusht: ndërmarrjen e hapave konkretë drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nëse dëshiron që përfundimisht të bëhet anëtarja më e re e kësaj organizate.

“Përkundër se Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës votoi disa javë më parë me shumicë dërrmuese në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës, kushti që Kosova duhet të bëjë një lëvizje konkrete drejt themelimit të Asociacionit të Komunave Serbe nuk duhet të jetë befasi”, vlerësoi ndër të tjera Ben-Meir, i cili mbulon politikën amerikane në Ballkanin Perëndimor.

Kosova dorëzoi dokumentacionin për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022, por blloku ende s’e ka shqyrtuar. Dhe arsye për këtë janë kryesisht tensionet e vazhdueshme në marrëdhëniet Prishtinë-Beograd. Gjithashtu, organi vendimmarës i Këshillit të Evropës – Komiteti i Ministrave – nuk pati gatishmëri që ta përfshijë Kosovën në agjendën e mbledhjes së 17 majit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore