Lajme

Ben-Meir: Gjasat që Kurti ta themelojë Asociacionin janë minimale


Alon Ben-Meir

Për njohësin e dinamikave politike në Ballkanin Perëndimor, Alon Ben-Meir, gjasat që Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të fillojë së zbatuari Marrëveshjen e Brukselit/Ohrit, ku parashihet themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, janë minimale.

Se Kosova dhe Serbia janë ende shumë larg njëra-tjetrës për çështjet kyçe, eksperti amerikan përmendi edhe deklaratën e Këshilltarit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i cili në seancën dëgjimore të Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë, vlerësoi se “asnjëra palë nuk është duke e zbatuar marrëveshjen”.

“Kurti është jashtëzakonisht i shqetësuar – dhe për arsye të mira – se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe do të ishte thjesht një tjetër Republikë Serbe (duke iu referuar entitetit të drejtuar nga serbët në Bosnje-Hercegovinë), e cila i kushton pak vëmendje qeverisë qendrore të Bosnje-Hercegovinës”.

Ky lloj mekanizmi vlerësohet të jetë një levë e dytë e madhe për serbët e Kosovës – pas votës së kualifikuar në Kuvendin e Kosovës – porse, atë po e kërkon një “palë e tretë” nën kontrollin e tij, me idenë e interferimit në një sistem të brendshëm kushtetues.

“Duke pasur njohuri se si operon Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, po ashtu edhe shqetësimet lidhur me kredibilitetin, nuk ka asnjë arsye për të besuar se ai do të lejojë që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, tha ai.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkura, me gjithë mospajtimet lidhur me këtë çështje, kanë vlerësuar se themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është prioriteti më i madh aktualisht në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore