Lajme

Ben-Meir: Biden është shumë më i përkushtuar ndaj pavarësisë dhe sigurisë së Kosovës


Alon Ben-Meir

Alon Ben-Meir, analist politik, konsulent dhe kolumnist i shumë mediave ndërkombëtare, derisa analizoi situatën e sigurisë në Kosovë dhe dyshimet në rritje për angazhimin e Shteteve të Bashkuara (SHBA) ndaj vendit, konsideroi se administrata aktuale e presidentit amerikan, Joe Biden, është shumë më e përkushtuar ndaj pavarësisë dhe sigurisë së Kosovës.

Ben-Meir, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të hënën, konsideroi se Bashkimi Evropian (BE) nuk duhet t’i ndalë përpjekjet në drejtim të tërheqjes së Kosovës dhe Serbisë nga situata parakonfliktuale, derisa sugjeroi BE-në të shfrytëzojë momentumin e krijuar para zgjedhjeve presidenciale në SHBA në nëntor të vitit 2024 dhe rikonfigurimit të forcave.

“BE-ja nuk duhet të dekurajohet të vazhdojë përpjekjet në drejtim të bashkërendimit të dallimeve midis Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht sepse Demokratët janë akoma në pushtet në SHBA dhe presidenti Biden është shumë më i përkushtuar për pavarësinë dhe sigurinë e Kosovës”.

“Nuk ka dyshim se tensioni mes Serbisë dhe Kosovës nuk është zvogëluar pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të BE-së për të zbutur çështjet e ndryshme konfliktuale midis dy palëve. Megjithatë dyshoj se do të ketë ndonjë sulm të madh nga Serbia, sepse kjo thjesht nuk do t’i shërbejë interesit të saj”, shkroi analisti amerikan në një analizë të shkurtër.

Shumë vëzhgues kanë ngritur dilemën se deri në çfarë mase SHBA-ja, veçanërisht nëse Donald Trump rikthehet në krye të SHBA-së, do të vazhdojë të shohë Kosovën si prioritet, duke pasur parasysh sfidat kryesore në skenën ndërkombëtare, ndërsa shpesh është thënë se pala serbe shpreson që zgjedhjet në SHBA të prodhojnë politika që do t’i përshtaten Serbisë.

Intervistë | Vogel: Rikthimi i Trump, fatkeqësi për Kosovën – mund të ringjallet ideja e shkëmbimit të territoreve

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore