Shqipëria

Belind Këlliçi premton transport publik falas në kryeqytet


Kandidati i Partisë Demokratike, dalë nga Primaret e kësaj force politike, Belind Këlliçi zbuloi gjatë të shtunës një prej premtimeve kryesore të fushatës së tij zgjedhore.

Ish deputeti demokrat u angazhua se me të në në krye të bashkisë Tiranë, “transporti publik për të gjithë qytetarët e Tiranë do të jetë falas”.

Lajmi u bë i ditur gjatë një takimi me të rinjtë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike.

“Sot para jush dua të jap një nga premtimet kryesore të fushatës sime. Me Belind Këlliçin në krye të bashkisë Tiranë, transporti publik për të gjithë qytetarët e Tiranë do të jetë falas, duke e bërë Tiranën vendin e dytë në Evropë ku afrohet ky shërbim, duke i mundësuar minimalisht 200 mijë qytetarëve të Tiranës, pa asnjë dallim”, theksoi kandidati demokrat.

Sipas tij, ajo çka ata i afrojnë sot qytetarëve të Tiranës është fillimisht ndryshimi.

“Unë sot vij para qytetarëve si një kandidat që nuk i ka bërë asnjë dëm ekonomik, qytetarit. Nuk kam asnjë histori korrupsioni ku mund të kapet kundërshtari politik. Ajo që unë garantoj është se do të kemi programin më të mirë që ka parë Tiranë në 33 vite, duke filluar nga të rinjtë”, shtoi më tej Këlliçi.

Kryeqyteti i Estonisë, Talini dhe Luksemburgu janë pionierë në Evropë për heqjen e tarifave të transportit në një shkallë relativisht të madhe – respektivisht në nivel qyteti dhe në mbarë vendin.

Më shumë se 50 qytete dhe qyteza në Evropë kanë prezantuar tani transportin publik falas, duke përmendur ambiciet klimatike dhe barazinë sociale si motivuesit kryesorë të tyre.

Luksemburgu u bë vendi i parë në botë që heq tarifat në të gjithë transportin publik në vitin 2020, diçka për të cilën autoritetet janë krenare.

Që nga 1 marsi, askush nuk ka nevojë të blejë një biletë për të përdorur rrjetin e transportit publik të vendit.

Kjo vlen edhe për udhëtarët ndërkombëtarë dhe turistët e huaj, gjë që nuk është befasi pasi rreth 45 për qind e punëtorëve udhëtojnë për në Luksemburg nga vendet fqinje.

Bërja e transportit publik falas për të gjithë është një hap i madh për shoqërinë, tha ministri i Transportit Francois Bausch, duke shtuar se “qeveria dëshiron që Luksemburgu të bëhet një laborator për lëvizshmëri”.

Me një popullsi që është rritur me 40 për qind në dy dekadat e fundit, duke lëvizur në vendin e vogël evropian, rritja e përdorimit të transportit publik do të ndihmonte në shmangien e trafikut në rrugët e Dukatit të Madh.

Deri më tani, asnjë shifër e besueshme e pasagjerëve nuk është vënë në dispozicion nga Ministria e Transportit e Luksemburgut.

Tetorin e kaluar, Malta u bë vendi i dytë në botë që e bëri transportin publik falas.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore