Përballje

Belgjika shënon fitore bindëse ndaj Estonisë, Portugalia merr fitore të vështirë ndaj Islandës


Kanë përfunduar të gjitha ndeshjet kualifikuese të Kampionatit Evropian për muajin qershor.

Mbrëmjen e sotme Belgjika shënoi fitore me rezultat 0:3 në udhëtim te Estonia.

Romelu Lukaku ia shpërblen me dy-golësh besimin trajnerit Tedesco, që i dha shiritin e kapitenit sulmuesit të Inter-it në mungesë të De Bruyne-s (Courtois braktisi grumbullimin në shenjë proteste).

Dy-golëshi i Big-Rom në minutat 37 dhe 40 i siguroi fitoren “Djajve të Kuq”, ndërsa në pjesën e dytë shënoi krejt në fund edhe mesfushori i PSV-së, Johan Bakayoko.

Kështu, Belgjika shkon në kuotën e shtatë pikëve, tri më pak se Austria kryesuese, që fitoi 2:0 përballë Suedisë.

Në ndeshjen tjetër, Cristiano Ronaldo ishte përsëri protagonist në fitoren në minutat shtesë të Portugalisë ndaj Islandës në udhëtim.

CR7 e shënoi golin e vetëm në këtë takim në çastet e fundit të ndeshjes.

Po në këtë grup, surprizën e bëri Luksemburgu, që fitoi 0-2 në fushën e Bosnjë Hercegovinës, ndërsa Lihtenshtajni u mposht minimalisht nga Sllovakia.

Në Grupin A, Norvegjia siguroi fitoren e parë në grup, 3:1 përballë Qipros, që ende nuk ka marrë pikë në këtë fushatë eliminatoresh.

Në Grupin G, Hungaria ngjitet në vendin e parë, pasi fitoi 2:0 me Lituaninë, ndërsa Bullgaria barazoi 1:1 me Serbinë në ndeshjen e luajtur në Razgrad.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore