Beleri refuzon të dëshmojë në Gjykatë: Në dosje ka dokumente të falsifikuara

Rajmonda Basha
05.12.2023 16:24
Loading Icons...

Këtë të martë të 5 dhjetorit po mbahet seanca e radhës për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës Fredi Beleri, i cili është në akuzë për blerje votash në zgjedhje lokale të 14 majit.

Sipas informacioneve, Fredi Beleri ka refuzuar të dëshmojë në cilësinë e të pandehurit.

“Do të dëshmoja po të kisha besim po në dosje ka dokumente të falsifikuara”, u shpreh ai.

Më herët Gjykata pranoi kërkesën e SPAK, për tu lexuar dy dëshmitë e dëshmitarit Abdyl Rama të dhëna në prokurorinë e Vlorës dhe atë Speciale në Tiranë. Vendimi erdhi pas verifikimit të ardhur nga policia, për herë të tretë që nuk e gjente në banesë, dhe sipas TIMS, rezulton jashtë vendit pa adresë të përcaktuar që më datë 22 korrik 2023.

“Pak ditë pas arrestimit të Belerit më kapën në Himarë dy persona që më i kërkuan të tërhiqnin deklarimet e tij dhe të vëllait Arsen Rama.  Ata thanë se janë miqtë e Belerit. Nëse do të tërhiqni deklarimet do t’i sigurojmë azil politik për vëllain në Greqi. Në një ditë tjetër duke ikur në Livadh me motor më preu rrugën një person dhe që në duar dukej sikur mbante një armë më ka kërcënuar dhe sharë greqisht nga nëna që më ka vdekur. Që kur u arrestua Fredi Beleri ne na ka falimentuar biznesi sepse nuk na ble më njeri peshk si dhe në Himarë nuk na flet më njeri”, thuhet në dëshminë e Avdyl Ramës.

Dëshmitë janë kontestuar nga mbrojtja e Belerit me argumentin se ai duhet të sillet të dëshmojë në gjykatë.

Më tej mbrojtja tha se ndaj Abdyl Ramës është bërë një kallëzim, çështje për të cilën tha se e ka në shqyrtim gjyqtarja Irena Gjoka, ndaj të cilës tha se nuk përjashtohet mundësia të kërkojë largimin e saj nga gjykimi i Belerit. Mbrojtja vijoj se mosparaqitja e Ramës ka të bëjë me faktin se i ndruhet kallëzimit për deklarim të rremë.

Avokati i këtij i këtij të fundit Geri Gjyzari, tha pas seancës se të dy vëllezërit janë të akuzuar për falsifikim dhe janë gjithashtu sipas tij bashkëpunëtorë të policisë.

“Abdyl Rama dhe Arsen Rama janë dënuar në 2-3 gjykata të Shqipërisë për çështje të ndryshme. Në 19 qe është shtyrë gjyqi ai ka një gjyq këtu dhe nuk e gjejnë dot. Ky është Abdyl Rama që nuk e gjejnë dot. Janë dy vëllezër që kanë organizuar të gjithë këtë. Njëri vëlla është në mbrojtje të tjetrit. Kjo është e vërtet. Janë disa herë të dënuar të dy, i përdor policia”, tha avokati i Belerit, Geri Gjyzari

Seanca u shty për më datë 19 dhjetor në orën 14:30, me kërkesë të Prokurorisë pasi theksoi se duhet ti merret dëshmia në cilësinë e të pandehurit edhe Pandeli Kolaveshit i cili nuk mori pjesë në seancë.

Seanca pati interesim të lartë të mediave greke dhe ambasadores së vendit fqinj që nuk ka munguar në asnjë seancë.

Ndërkohë ambasadorja greke Konstantina Kamitsi po ndjek nga afër çështjen. Seanca e kaluar u shty për shkak të mosgjetjes së dëshmitarit Avdyl Rama të kërkuar nga prokuroria dhe mbrojtja. Rama sipas prokurorisë ndodhet jashtë vendit, ndërkohë që policia pretendon se është brenda vendit.

Shtyhet seanca ndaj Fredi Belerit, nuk gjendet dëshmitari

 

Beleri prej kohësh ka kërkuar të betohet si kryetar i Bashkisë Himarë, por kjo nismë e tij është në ngërç tërësor dhe së fundmi, një pengesë e radhës burokratike është ajo nga Gjykata e Lartë, e cila ka vendosur se nuk është kompetente për trajtimin e kësaj kërkesë Gjykata e Durrësit, por ajo e posaçme GJKKO.

Kështu, në vendimin e Gjykatës, përshkruhet se dhënia e posaçme e lejes për betimin e Belerit, i takon prokurorit të çështjes.

Më tej përmendet edhe fakti se Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk ka asnjë kompetencë për të miratuar leje për betimin, ashtu siç Beleri e ka kërkuar në muajin shtator.

Arsyeja pse e gjitha rrotullohet rreth prokurorit të çështjes, është për faktin se i takon atij, si titullar i procedimit penal, për të vlerësuar nëse dhënia e lejes ka apo jo impakt në rezultatin dhe fshehtësinë e hetimit.

Gjykata shton se përsa kohë çështja gjendet në Gjykatën Antikorrupsion, kërkesa nuk mund të shqyrtohet nga trupë tjetër përtej gjykatës që ka gjykimin në themel.

Kjo gjykatë konfirmoi se nuk është caktuar ende seanca, ndërsa kërkesa e Belerit pritet të shqyrtohet nga gjyqtarja antikoprrupsion, Fjorela Davidhi.

Për Fredi Belerin janë dëgjuar disa dëshmitarë, midis tyre edhe Arsen Rama, i cili ka treguar se si u pagua për të siguruar vota në këmbim të 50 euro secila.

Gjykimi i Belerit

Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar kërkesën e kryetarit të zgjedhur të Bashkisë Himarë, Fredi Beleri, për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka dhe gjithë trupës gjykuese nga çështja e tij, më 7 nëntor.

Teksa, nga ana tjetër, ka pranuar kërkesën e Prokurorisë që dëshmia e Arsen Ramës, një prej dëshmitarëve kyç në çështje, të bëhet me dyer të mbyllura.

Sipas vendimit të marrë, dëshmitë e tjera në këtë rast do të mbahen me dyer të hapura.

Por, Ramës, sipas prokurores Dorina Bejko, i është dëmtuar më parë makina e tij në Vlorë dhe me rastin e referuar në Polici, mendohet pikërisht se lidhet me dëshminë për çështjen Beleri.

Më 26 tetor, Gjykata Kushtetuese ka kaluar për gjykim çështjen e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri.

Shqyrtimi do të bëhet në seancë plenare mbi bazë dokumentesh.

“Ju informojmë se në Gjykatën Kushtetuese në datën 28 shtator është paraqitur dhe regjistruar kërkesa e Dhionisios Alfred Beleri, me objekt: ‘Shfuqizimin si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë i vendimit të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, i vendimit të Gjykatës së Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe i vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, njofton Gjykata.

Ndërkaq më parë, Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesat paraprake për shpalljen e akteve hetimore të pavlefshme – që do të sillte automatikisht pushimin e çështjes.

GJKKO vlerësoi se kjo kërkesë ishte e pabazuar në ligj, ndërsa pas këtij vendimi avokatët e Belerit kërkuan përjashtimin e trupës gjykuese.

Gjithashtu, avokatët e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës kanë kërkuar që të merren në pyetje 13 dëshmitarë, ndërsa nga ana tjetër SPAK ka kërkuar 8 dëshmitarë. Seanca e radhës për Belerin dhe Pandeli Kokaveshin do të mbahet më 7 nëntor.

Kujtojmë se në seancën e kaluar GJKKO pranoi kërkesën për largimin nga trupa gjykuese të Etleva Dedës. Kjo e fundit do të zëvendësohet nga Flora Haradinaj.

Deda kishte kërkuar të hiqte dorë nga çështja, ndërsa ishte kërkuar edhe përjashtimi i saj nga avokatët e Belerit.

Gjykata e Durrësit shpalli më herët moskompetencë sa i takon shqyrtimit të kërkesës së Belerit për t’u lënë i lirë përkohësisht për të bërë betimin e tij si kryetar i Bashkisë Himarë.

Kështu, ia ka kaluar kërkesën Gjykatës së Lartë për interpretim. Do të jetë kjo e fundit që do të vendosë se cila gjykatë do të shqyrtojë kërkesën e Belerit.

Më 14 shtator, Gjykata e Posaçme vendosi kalimin e dosjes për gjykim ndërkohë që Beleri ka kërkuar gjashtë herë zëvendësimin e masës arrest me burg me një masë më të lehtë, por është refuzuar nga gjykata.

Fredi Beleri mbahet në arrest prej 12 majit të këtij viti pasi u arrestua për blerjen e votave të 8 qytetarëve kundrejt 40 mijë lekëve. Gjykatat kanë refuzuar disa kërkesa të tij për lirim ndërsa autoritetet greke kanë dënuar arrestimin.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjen e zhvilluar më 25 maj, ka certifikuar rezultatin, ku i dha mandatin edhe kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës.

Avokatët e tij kërkuan masë më të lehtë sigurie, por GJKKO e ka hedhur poshtë.

GJKKO-së iu kërkua zëvendësimi i arrestit me burg me një masë tjetër në liri.

Kjo, për t’i mundësuar Fredi Belerit betimin si kryebashkiak i zgjedhur nga qytetarët e Himarës.

Të fundit

Aktuale