Shqipëria

Beleri dorëzon kërkesë për rekurs në Gjykatën e Lartë mbi dënimin për korrupsion


Ish-kryebashkiaku i Himarës, Fredi Beleri, ka dorëzuar përmes përfaqësuesve të tij ligjor një kërkesë për rekurs në Gjykatën e Lartë lidhur me dënimin e tij për korrupsion zgjedhor.

Kjo nismë ligjore vjen dy javë pas lirimit me kusht të Belerit, në vazhdën e një beteje të gjatë me drejtësinë shqiptare, duke kërkuar pafajësinë.

Më 2 shtator, Gjykata e Fierit pranoi kërkesën e ish-kryebashkiakut të Himarës për lirimin me kusht, duke i dhënë fund sagës së burgosjes së Belerit, i cili u dënua për blerje votash në zgjedhjet e 14 majit 2023.

Më 25 qershor Apeli i GJKKO-së vendosi dy vjet burg për Fredi Belerin, duke lënë në fuqi vendimin e mëparshëm që e shpallte fajtor për blerje votash.

Më 16 prill ndërkaq, u zbardh vendimi i arsyetuar për dënimin e kryebashkiakut, ku argumentohej se korrupsioni zgjedhor në rastin e tij është i faktuar.

Avokatët e Belerit në çështje pretendonin se Arsen Rama, i infiltruari i Policisë, nuk ndodhej në territorin e Himarës, kur pretendohet se ka pasur takime me Fredi Belerin, takime gjatë të cilave është regjistruar audio dhe video, si dhe është fotografuar.

Mirëpo Gjykata, në vendimin e arsyetuar, e theksonte se Rama ndodhej në qytetin e Himarës më datë 10-12 maj, kur janë zhvilluar takimet me të pandehurit Beleri dhe Kokaveshi dhe ndaj pretendimi i mbrojtjes nuk qëndron.

“Referuar të dhënave të tabulateve të numrit në përdorim të shtetasit Arsen Rama, rezulton se në takimet e zhvilluara me të pandehurit, përkatësisht me datën 10 maj 2023 ora 08:40 deri në orën 08:48, ora 20:20 deri në orën 20:24 shtetasi Arsen Rama rezulton i loguar në territorin e Himarës dhe jo në ndonjë qytet tjetër”, arsyetonte gjykata në mënyrë të zgjatur.

Më tej, arsyetimi ndalej edhe te regjistrimi audio dhe video të bisedave mes të pandehurve dhe te infiltruarit të policisë, ku gjykata shpjegon se avokatët nuk kanë ngritur asnjë pretendim për përmbajtjen e tyre dhe nuk kanë kërkuar dëgjimin e bisedave në seancë.

“Sa i përket pretendimeve në lidhje me kqyrjen e pamjeve filmike, fotografike, ritraskiptimin e veprimeve të përgjimeve të pretenduara si të kryera në shkelje me ligjin, gjykata vlerëson se ky pretendim nuk është i pabazuar në ligj”, përmendet në vendim.

Gjykata thotë po ashtu se krijoi bindjen bazuar në prova e fakte, siç janë përgjimet audio dhe video mes të pandehurve me të infiltruarin, ekspertimi i telefonit të Arsen Ramës, si dhe rrëfimet e dëshmitarëve se Fredi Beleri dhe Pandeli Kokaveshi e kanë kryer veprën penale të korrupsionit zgjedhor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore