Shqipëria

Belá(ja) e shoferëve: Amortizimi shpërfytyrues i rrugëve shqiptare


Për një alternativë me ujë të pastër kristal dhe çmime më të përballueshme se në Mykonos, provoni fqinjin verior të Greqisë, Shqipërinë. Do të gjeni plazhe mesdhetare përgjatë Rivierës Shqiptare, dhe në brendësi, malet janë idilike për ecje, çiklizëm dhe vizita në qytete antike.

E përditshmja amerikane “The Washington Post” nuk i ka kursyer fjalët e mira për tokën shqiptare, ashtu si dhjetëra media të tjera ndërkombëtare, të cilat e kanë lartësuar së fundmi turizmin në Shqipëri.

Po ministrja për Infrastrukturën dhe Energjinë, këto shkrime, i lexon vallë?

Nëse po, e tregojmë ne një pasqyrë të vërtetë se si rrugët që të çojnë për nga këto bukuri janë…

Është e pamundur të jesh një shtetas shqiptar, apo i huaj, dhe të kesh ardhur për pushime me ndjesi rehatie sa i takon udhëtimit.

Sa mund të duhen për të përshkruar 30 kilometra rrugë interurbane? Rreth 20 minuta? 30 ndoshta?

Mendohuni mirë, pasi vetëm fati mund të bëjë që t’ju duhen diku te 50 minuta. Në të kundërt, radhët kilometrike, agonike, ku në sytë e shoferëve pikon edhe djersa mes vapës dhe pritjet prej 90 minutash, apo edhe dy orësh, nuk janë të përjashtuara për një segment si ai “Milot-Rinas”, për të shkuar më pas në Vorë e më tej Durrës dhe pjesët jugore të vendit mandej.

Paradoksalisht, edhe nëse hyn në platformën Google Maps, një degëzim i rrugës dytësore, i cili është thuajse 7 kilometra më i gjatë se sa segmenti kryesor, të kursen disa minuta kohë, por nuk e garanton shpejtësinë e lëvizjes.

Turistëve nga Kosova më së shumti, i bëhet “qejfi” shumë kur të pikëlluar i sheh çdo fundjavë të presin rrugëve për të kaluar, edhe më shumë se sa shezlonëve për të pushuar.

Një korsi vajtjeje dhe një ardhjeje, shohin njëra-tjetrën në pështjellim, me një ngrysje fytyre si përgjigja e vetme për të mos pasur katalizator të lëvizjes në asnjë rrethanë.

Dikush mund të justifikohet se një aks i projektuar nga Thumana në Kashar, do të jetë zgjidhja përfundimtare për këtë problem.

Aks në të vërtetë, i cili duhet të kalojë edhe mbi “gjakun e banorëve të Bërxullës”, pasi prej muajsh protestojnë për një shpronësim të munguar të pronave të tyre.

Por edhe nëse e marrim të mirëqenë ndërtimin e tij, a e justifikon gjendjen e tillë të një rruge kaq thelbësore, si portë kryesore hyrëse nga pjesa veriore e Shqipërisë drejt bregdetit jugor – qoftë edhe si alternativë?

Nga Miloti deri në Rinas, rrugët kanë gropa të dukshme e të padukshme. Thërrmija asfalti copë-copë e bëjnë vozitjen irrituese, ku xhami hapur vështirë të lihet, për shkak të pluhurit që ngrihet nga dheu në rrugë.

Vetura të ndaluara që dëmtojnë (apo edhe humbin gomat), i sheh të parkuara në krah rruge.

Aksidentet bëhen kështu të pashmangshme. Sapo u shtua edhe një orë pritje më shumë për 20 kilometra distancë. Tmerr i udhëtimit!

Të shtjellohemi më tej…

Pandehni se vendmbërritja juaj është ajo drejt bregdetit jugor. Afërmendsh zgjedhja e duhur rrugore, do të ishte ajo e një degëzimi interurban, i cili njihet edhe si rruga e Shkozetit dhe eviton hyrjen në Durrës për të shkuar në qytete si Kavajë, Fier, Divjakë, Vlorë e më tutje.

Segmenti i Shkozetit është i mirëndërtuar në një pjesë të madhe të tij dhe konceptimi me katër korsi është i duhuri…po të mos ishte për disa pika, ku janë të vendosur krejtësisht pa asnjë lloj logjike disa kryqëzime, të orientuar me semaforë, herë funksionalë e herë jo.

Me rrugën krejtësisht të boshatisur, nuk është ndonjë habi të shihesh sy më sy me patrullat rutinë të Policisë Rrugore, si duke i lypur që ta mbyllin një sy e ta lejojnë kalimin me të kuqe!

Rrezikoni këtu sërish të humbni kohë të vlefshme dhe nuk është habi që një udhëtim nga Tirana drejt Kavajës, i cili në kushtet normale do të përshkruhej për jo më shumë se 45 minuta, në kushte të fluksit të udhëtarëve, t’ju duhen edhe dy orë për t’u përshkruar.

Përse? Sepse një problem të zgjidhjes së degëzimeve në disa fshatra të zonës, i cili mund të shterohej fare thjeshtë me nënkalime apo mbikalime, është zgjedhur të “sheshohet” me kryqëzime të pakuptimta, për të pluskuar trafikun.

Me të kaluar Kavajën, një tjetër aks problematik është ai, i cili lidh Rrogozhinën me Lushnjën e më tej Fierin.

Cilësia e rrugës është e kënaqshme në këtë segment dhe trafiku rrallë herë haset në masa alarmante.

Çështja është se mungon korsia e emergjencës në pjesën më të madhe dhe për të tepër, ka disa kryqëzime, të cilat janë jo thjesht potencial i tragjedive, por një minë me sahat, thjesht për të pritur aksidentin e radhës.

Le ta zëmë se dikush ka qenë në jug dhe në kthim kërkon të kthehet në Divjakë. Manovra e cila shoferi duhet të kryejë, është e tillë që pret në mes gjithë rrugën interurbane.

Korsi ngushtuese ngadalësimi shfaqen disa herë gjatë segmentit rrugor dhe situata të tilla, ku edhe duhet të frenosh krejtësisht, janë të pashmangshme dhe në këtë pikë, hyjmë në fazën ku projektuesi i një rruge, përveçse nuk llogarit elementët kohorë, nuk i interesojnë më as ata jetësor të sigurisë.

Rreziku për jetën bëhet i pashmangshëm dhe arsyeja, është një kompromis krejt i panevojshëm për banorët “e paduruar” të zonës, të cilët segmentin kombëtar e duan ta kthejnë në rrugë lokale, kur opsionalja e një rrethrrotullimi të gjendur pak kilometra larg, do ta shmangte të gjithën.

Të paktën për sa kohë vetë Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, nuk ka në plas të procedojë me një mbikalim në standardet e duhura të sigurisë.

Më tej, rruga nga Fieri në Vlorë, është e vërtetë se hyn në spektrin e superstradës dhe është e pajisur me korsi emergjence. Por, në disa segmente, si fjala bie rreth 12 kilometra përpara Levanit, dy ura mbi lumin Seman mundet edhe të të katapultojnë krejtësisht në ajër, për shkak të disnivelit decimal me të cilin janë punuar.

Pyetja e thjeshtë të lind në mendje, se kush është ai ekspert rrugor, apo qoftë edhe ministër, i cili ka pranuar të nënshkruajë një projekt me të tilla ura vdekjeprurëse në një aks ku me shpejtësinë e re të lejuar, e cila pritet të jetë 130 kilometra në orë, mundet edhe të fluturosh tej.

Shuma të stërmëdha parash janë shpenzuar për ndërtimin e kësaj rruge dhe po aq harxhohen për të ruajtur rendin me patrulla Policie, kur normalja do të ishte që të tilla fonde, të shkonin për përmirësimin e gjithë udhëtimit të një drejtuesi mjeti.

Në kushtet e heshtjes dhe paveprimit, të drejtën e kemi edhe ta kërkojmë një gjobitje të projektuesit, një padi ndaj pranuesit të projektit, apo pse jo në “kaltërsinë morale” të politikës, edhe dorëheqje nga ministrja që lejon rrugët të kenë këto kushte.

Një aspekt megjithatë, Belinda Balluku, e njohur si “Bela” gjerësisht, e ka goditur, pasi vetes estetikën ia ka dhënë, por punën e saj e ka lënë pa shije.

Fjala bie, e sheh lehtësisht në transmetime të faqes së saj në Facebook, duke treguar se si në akse të ndryshme, puna vijon “në ritme të shpejta”, por për akset krejtësisht të amortizuara, që të çojnë drejt këtyre rrugëve të reja, nuk do t’ia dijë.

Më 17 maj, e përshkroi më këmbë një copëz rrugë të aksit Orikum-Dukat, i cili po asfaltohej në ndërkohë.

Po deri në të shkuarit aty, me ç’makinë e përshkroi rrugën ministrja dhe nëse vetë nuk ishte shofere, a pati probleme gjatë udhëtimit në sediljen e pasme?

Shqipëri 2023…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore