Shqipëria

Vota e emigrantëve e kthen diasporën në aktore direkte të procesit politik, thotë Begaj në Samitin e Diasporës


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, gjatë fjalës së tij në Samitin e Diasporës ka theksuar rëndësinë e votës së emigrantëve.

“Ka disa hapa të domosdoshëm për t’u ndërmarrë. Pikësëpari është vota. Qytetarët shqiptarë jashtë vendit duhet të kenë mundësi të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar pa pasur nevojë të vijnë në Shqipëri. Ata duhet të votojnë, sipas një modeli që shumë vende të tjera e aplikojnë me sukses”, ka ravijëzuar Begaj.

Sipas tij, kjo do ta kthejë diasporën në aktore të drejtpërdrejtë të konfigurimit politik e administrativ në Shqipëri.

“Së dyti, diaspora duhet të këtë përfaqësim politik që do t’i japi zë prioriteteve të shqiptarëve jashtë vendit. Të gjithë këto janë procese që nuk mund të përmbushen sa hap e mbyll sytë, por nuk janë objektiva të paarritshëm dhe mbi të gjitha janë nisma të domosdoshme që ne si shqiptarë të jemi bashkë edhe pse larg”, ka shtuar ai.

Begaj ka shtuar ndër të tjera se diaspora është promotorja më efiçente e kulturës dhe identitetit, “kartvizita e shqiptarisë në botë”.

“Shqipëria nuk e ka luksin ta neglizhojë diasporën. Nuk duhet ta shohim atë si pjesë të shkëputur, por si zgjatim të natyrshëm të kulturës dhe identitetit tonë. Historia na mëson se vendi ynë vetëm ka përfituar nga bijtë e saj jashtë”, ka vijuar ai.

Ai ka drejtuar po ashtu ftesën ndaj tyre për të “kontribuuar aktivisht me ide, sugjerime, projekte e sipërmarrje për konsolidimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, ekonominë e turizmin, si dhe  sferat në të cilat ju mendoni se duhet të punojmë më ngushtë bashkarisht”.

Sakaq, Begaj është ndalur edhe te rëndësia që ka mësimi i gjuhës shqipe nga fëmijët e emigrantëve shqiptarë.

“Unë do të vijoj të mbështes punën e nisur nga Institucionet shtetërore për shpërndarjen e librave shqip nga autoritetet shtetërore për komunitete shqiptare në diasporë, por kjo nuk mjafton”.

“Fëmijët duhet të kenë më shumë mundësi të mësojnë shqip, kudo ku të jenë. Përdorimi i gjuhës shqipe nuk mund të bëhet me urdhër, ai del si nevojë e komunitetit për të ruajtur atë, kulturën dhe identitetin tonë kombëtar”.

Ndërkohë, Begaj ka vlerësuar kontributin e shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit duke e cilësuar atë të pazëvendësueshëm në aspektin e remitancave, por jo vetëm.

“Shqiptarë që kanë jetuar e sakrifikuar me vite në emigracion janë kthyer e kontribuojnë me ide e nisma të reja në fusha të ndryshme, iniciativa me shumë sukses, përfituese për komunitete të tëra”, ka dalluar ai.

Celibashi: Partitë politike dhe Kuvendi duhet të vendosin tani për votën e emigrantëve

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore