Shqipëria

Begaj takon Gjeneral Cavolin: Bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, shumë i rëndësishëm


Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot Komandantin e Komandës Supreme të Aleatëve në Evropë, Gjeneralin Christopher G. Cavoli.

Presidenti i Republikës i shprehu mirëseardhjen Gjeneral Cavolit, i cili ndodhet në Shqipëri për një vizitë zyrtare.

Gjatë bisedës me Gjeneral Cavolin, Presidenti i Republikës i përcolli Komandantit Suprem të Aleatëve në Evropë mirënjohjen për punën e kryer si SACEUR në mbrojtjen kolektive, si edhe për nxitjen e bashkëpunimit rajonal dhe përballë sfidave të reja me synim ruajtjen e paqes dhe sigurisë në zonën Euroatlantike dhe në arenën ndërkombëtare.

Begaj vlerësoi ndërtimin e kapaciteteve të nevojshme dhe zhvillimin e Forcave të Armatosura Shqiptare, rritjen e bashkëpunimit me aleatët e NATO-s, të bazuara në angazhimet e përbashkëta dhe vizionin e vendit tonë për të rritur sigurinë transatlantike dhe për të forcuar stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Begaj theksoi gjatë bisedës me Gjeneral Cavolin ambiciet e Shqipërisë për të rigjallëruar industrinë e mbrojtjes, nismat dhe investimet e ndërmarra, si edhe ofrimin e Porto Romanos si bazë e NATO-s.

“Bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë është shumë i rëndësishëm dhe e vlerësoj shumë rolin që luan Komanda Evropiane e SHBA-së në nxitjen e bashkëpunimit tonë dhe mbështetjen e Forcave të Armatosura të Shqipërisë”, u shpreh Begaj.

Gjatë takimit u bisedua për forcimin e partneritetit strategjik, në një kohë, të cilën Begaj e konsideroi si “të paprecedentë për sigurinë”,  duke iu referuar agresionit rus në Ukrainë dhe konfliktit në Lindjen e Mesme.

“Këto konflikte kanë ndikimin e tyre negativ edhe në Ballkanin Perëndimor, një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën”, u shpreh Presidenti Begaj, i cili theksoi se Shqipëria është e angazhuar në përmbushjen e detyrimeve të Forcave të Armatosura për planin kombëtar të mbrojtjes, atë rajonal të paqes, sigurisë dhe stabilitetit, si dhe mbrojtjes kolektive në përputhje me modelin e Forcave të NATO-s.

Një mirënjohje të veçantë Begaj përcolli për punën e kryer nga KFOR-i në Kosovë, duke shprehur njëherazi mbështetje ndaj këtij misioni për sigurinë në Kosovë dhe rolin si garantues për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore