Shqipëria

Begaj fjalim në Kuvendin e Kosovës: Shqipëria do të punojë për të zbuluar të gjithë të vërtetën e krimeve dhe gjenocidit


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Kosovës në seancën solemne për ditën e çlirimit theksoi se “sot nderojmë Ibrahim Rugovën, arkitektin e Pavarësisë, simbolin e rezistencës paqësore”.

“Përulemi me nderim para martirëve dhe figurave të shquara. Sot nderojmë Adem Demaçin, veprimtarin qëndrestar të çështjes kombëtare. SËot përulemi përpara Jasharëve, familjes simbol të martirizimit për Kosovën e pavarur. Luftëtarët e UÇK-së i falën jetën Kosovës së lirë e të pavarur”.

Begaj theksoi se Kosova nuk ishte vetëm.

“Qindra vëllezër nga Shqipëria, Mal i Zi, Maqedonia e Veriut e Diaspora iu bashkuan luftës. Shqipëria hapi zemrën dhe dyert e shtëpive për vëllezërit e motrat e dëbuar nga spastrimi etnik e gjenocidi i Millosheviçit”.

Kreu i shtetit ravijëzoi se Kosova nuk ishte vetëm.

“SHBA-ja, Britania e Madhe, BE-ja dhe NATO, mbështetësit e fuqishëm të kauzës së saj. Ndërhyrja e tyre ndaloi spastrimin etnik, gjenocidin, dhe i dha të drejtë popullit që kërkonte lirinë”.

Sipas tij, “ndërkombëtarët ishin hartuesit dhe zbatuesit e projektit të shtetformimit të Kosovës”.

“Shqiptarët kanë nevojë për të ruajtur dhe forcuar kohezionin kombëtar dhe socio-kulturor edhe sot. Në sfidat e kohërave, epokave dhe padrejtësive, shqiptarët e kanë të pacenueshëm shqiptarizmin. Kemi nevojë më shumë se kurrë për manifest krenarie kombëtare. Serbia dhe aleatët e saj, një fushatë keqdashëse për të njollosur luftën për çlirimin e Kosovës”.

Begaj tha se “nuk lejojmë të vendoset barazimi mes krimit të programuar serb dhe luftës për dinjitet e mbijetesë të shqiptarëve në Kosovë”.

“Nuk lejojmë që krimi të shfaqet si virtyt, kur miqtë tanë ndërkombëtarë janë për bashkëjetesën shqiptaro-serbe. Kemi përgjegjësi për të ruajtur dhe forcuar paqen, sigurinë dhe zhvillimin. Aspiratat për integrimin Euroatlantik të faktorit shqiptar janë më të forta se kurrë. Do të punojmë fort për këtë objektiv. Shteti shqiptar e ndjen detyrë dhe mision të mbështesë çdo përpjekje të institucioneve të Kosovës”.

Presidenti garantoi se “Shqipëria do të punojë për të shfrytëzuar të gjitha kapacitetet për të zgjeruar numrin e njohjeve”.

“Shqipëria do të punojë për të zbuluar të gjithë të vërtetën, ende të panjohur, të krimeve dhe gjenocidit në Kosovë. Kosova nuk është vetëm. Kosova nuk do të jetë vetëm. Çdo betejë juaja, është beteja jonë. Çdo sukses juaji, është sukses i gjithë shqiptarisë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore