Përballje

Befasojnë Spanja dhe Italia, fitore për Anglinë, Belgjikën e Gjermaninë


Befasia më e madhe e mbrëmjes të së mërkurës në ndeshjet kualifikuese të Kampionatit Botëror “Katar 2022”, ishte Spanja, e cila u mposht me rezultat 2:1 në udhëtim te Suedia.

Spanjollët e nisën mirë takimin, të cilët realizuan qysh në minutën e pestë, përmes Carlos Soler, por reagimi i suedezëve vendas ishte i shpejtë, pasi që një minutë më vonë barazuan rezultatin përmes Alexander Isak.

Pjesa e parë përfundoi me rezultat 1:1, teksa me të filluar e dyta, në minutën e 57-të, Viktor Claesson realizoi golin e epërsisë të Suedisë.

Pavarësisht tentimit të spanjollëve, Suedia arriti të mbrojë rezultatin dhe në fund fitoi tri pikë të arta, duke rrëmbyer vendin e parë në Grupin B, aty ku ndodhet edhe Kosova.

Super befasi e kësaj mbrëmjeje ishte edhe kampioni në fuqi i Evropës, Italia, e cila nuk shkoi përtej një barazimi 1:1 ndaj Bullgarisë.

Federico Chiesa zhbllokoi sfidën në minutën e 16-të për italianët, ndërsa miqtë e barazuan rezultatin me Iliev në të 39-ën.

Pavarësisht se nuk arriti të fitojë në këtë ndeshje, Italia ende ruan vendin e parë në Grupin C me 10 pikë të grumbulluara, derisa në vendin e dytë është Zvicra me gjashtë, por me dy ndeshje më pak të zhvilluara.

Po në të njëjtin grup, Irlanda e Veriut gjeti fitoren e parë pasi mposhti me rezultatin 4:1 Lituaninë në transfertë.

Ndërkohë, Belgjika nuk ka të ndalur në grupin E, pasi ia doli të triumfojë me rezultat të thellë 2:5 si mysafir ndaj Estonisë, duke blinduar vendin e parë në grup me 10 pikë të grumbulluara pas katër ndeshjeve.

Romelu Lukaku ishte protagonist me dy gola për belgët, derisa golat tjerë u realizuan nga Vanaken, Witsel dhe Foket.

Në këtë grup fitore mori edhe Republika Çeke, të cilët fituan me golin e vetëm nga Barak ndaj Bjellorusisë.

Ndërkohë, në Grupin I, ku bënë pjesë edhe Shqipëria, Anglia korri fitoren e katërt, pas po aq ndeshjeve, kështu duke siguruar thuajse kualifikimin tutje për në Katar.

Pjesa e parë nuk prodhoi gola, derisa në të dytën realizuan Sterling, Kane, Maguire dhe Rice.

Ndërsa në këtë grup, Andorra gjeti fitoren e parë, pasi mposhti San Marinon me rezultat 2:0.

Në grupin J pritej me mjaft interes debutimi i Hansi Flick me Gjermaninë, me “panzerat” që triumfuan me shifrat 0:2 në transfertën ndaj Lichtensteinit.

Me këtë fitore, Gjermania pozicionohet e dyta në tabelë me nëntë pikë, derisa në vendin e parë është Armenia me 10 pikë, e cila po befason në këto kualifikime.

Por, në këtë mbrëmje, armenët nuk shkuan më shumë se një barazim pa gola kundër Maqedonisë së Veriut në ndeshjen që u zhvillua në Shkup.

Kurse Rumania ia doli të triumfojë me rezultat 0:2 ndaj Islandës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore