Bechev: Zgjidhja mes Kosovës e Serbisë duket e pamundur, shkak mungesa e besueshmërisë mes Kurtit e Vuçiçit

SHFLETO

Dimitar Bechev

 

Armat Matoshi
20.06.2024 16:04
Loading Icons...

Dimitar Bechev, ligjërues në Universitetin e Oksfordit të Britanisë së Madhe dhe njohës i zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, në një analizë rreth rrjedhës së tensionuar të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë, vlerësoi se zgjidhja e mosmarrëveshjeve aktualisht duket e pamundur për shkak të mungesës së besueshmërisë midis liderëve aktualë.

Në një situatë në të cilën kryeministrit kosovar Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç u mungon besueshmëria ndaj njëri-tjetrit dhe fokusohen në marrjen e pikëve elektorale, në bazë të analizës së ligjëruesit bullgar, perspektiva e anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE) mbetet e ende e largët, ndërsa zgjidhja e mosmarrëveshjeve mbetet gati e pamundur.

“Në përgjithësi, çështja e pazgjidhur e Kosovës do ta pengojë Serbinë të bëjë progres në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE dhe ndoshta do të sigurojë mbulesë të mjaftueshme politike për Vuçiçin për të çimentuar pozicionin e tij brenda vendit. Ambiciet e Kosovës për t’u anëtarësuar në BE, gjithashtu, janë peng nga mosmarrëveshjet e pazgjidhura”, nënvizoi Bechev.

Ai kujtoi se për një dekadë, përfaqësuesit e njëpasnjëshëm të politikës së jashtme të BE-së nuk kanë arritur t’i detyrojnë palët të arrijnë një zgjidhje kompromisi në kuadër të dialogut. Madje, ai e cilësoi “marrëveshje të falsifikuar” marrëveshjen pa nënshkrim të liderëve të Kosovës dhe Serbisë vitin e kaluar për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Për shkak të refuzimit të Serbisë për të realizuar dispozitat thelbësore të marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut, shtetet anëtare obliguan BE-në që ta inkorporojë zbatimin e obligimeve në kapitullin 35 të negociatave për anëtarësimin e Serbisë, ku i kërkohet njohja de facto e Kosovës, deri në finalizimin e procesit që supozohet të përfundojë me njohje reciproke.

Nga gjashtë vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, përveç Kosovës, të gjitha ose kanë statusin e kandidatit për anëtarësimin e ardhshëm në klubin eksluziv evropian, ose kanë nisur tashmë negociatat e pranimit. Kosova ka dorëzuar aplikacionin për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022, por blloku ende se ka shqyrtuar për shkak të tensioneve Prishtinë-Beograd.