BE, Serbisë- “Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën dhe sundimi i ligjit, kyçe për rrugën drejt nesh”

SHFLETO

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Serbi, Emanuel Joffre

 

Xhezair Dashi
26.10.2021 10:12
Loading Icons...

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Serbi, Emanuel Joffre, tha se “përparimi i Serbisë në fushën e sundimit të ligjit dhe normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën është kyç dhe se do të përcaktojë ritmin e negociatave për anëtarësimin në BE”.

Kështu shkruan në një njoftim për media Konventa Kombëtare për BE-në (NCEU).

“Serbia duhet të vazhdojë dhe të përshpejtojë dhe thellojë reformat në lidhje me pavarësinë e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit, lirinë e medias, ndjekjen penale të krimeve të luftës para gjykatave vendase dhe luftën kundër krimit të organizuar,” tha Joffre në një takim të Konventës Kombëtare të Komisionit Evropian për progresin e Serbisë.

Ai falënderoi të gjithë aktorët e shoqërisë civile serbe për kontributin në raport me pikëpamjet dhe vlerësimet e tyre.

“Shoqëria civile duhet të luajë një rol kyç në një shoqëri demokratike dhe është e rëndësishme që temat e integrimit evropian të mbahen lart në axhendë,” tha Joffre.

Amabsadori evropian gjithashtu vlerësoi se Konventa Kombëtare për BE-në jo vetëm që ka një rol të rëndësishëm të mbikëqyrjes publike, por gjithashtu ofron një analizë thelbësore të të gjitha çështjeve në kapitujt e negociatave, një analizë që është me përfitim të madh për qeverinë serbe dhe institucionet e BE-së, duke përfshirë Delegacioni i BE-së.

Përfaqësuesit e NCEU-së vlerësuan se raporti i këtij viti është “më pak i mprehtë se ai i mëparshëm” dhe se si i tillë është “një motiv i mirë për Serbinë që të përshpejtojë procesin e integrimeve evropiane”.

Në takimin e mbajtur më 21 tetor, Koordinatorja e NCEU-së Natasha Dragojlovic i prezantoi ambasadorit të BE-së Librin e Rekomandimeve si produkt kryesor të monitorimit të aktiviteteve të Konventës.