Rajoni

BE: Serbia nuk respektoi sanksionet e Unionit kundër Iranit dhe luftës kundër terrorizmit


Ilustrim

Kabineti i Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka lëshuar tre deklarata të veçanta që konfirmojnë se cilat vende kanë respektuar sanksionet e fundit të Brukselit, ku bëhet me dije se Serbi është një nga vendet që nuk ka ndjekur politikat e Unionit.

Beogradi nuk ka respektuar tri paketat e sanksioneve të BE-së në lidhje me luftën kundër terroristëve, si dhe sanksionet ndaj individëve nga Irani për shkak të rolit që ky vend e luan në luftën në Siri dhe Ukrainë.

Sanksionet ndaj Iranit kanë të bëjnë me mbështetjen që ky vend e ofron, siç thuhet në deklaratën e BE-së; “luftës agresore të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Rusisë kundër Ukrainës”, transmeton Radio Evropa e Lirë në gjuhën serbe.

Këshilli i BE-së vendosi që të shtojë pesë persona të përfshirë në zhvillimin dhe furnizimin e mjeteve ajrore pa pilot në Rusi në listën e individëve, subjekteve dhe organeve që i nënshtrohen masave kufizuese.

Sa i përket Sirisë, Këshilli i BE-së vlerëson se Irani i ofron mbështetje ushtarake regjimit sirian, dhe duke pasur parasysh këtë u mor vendim që në listën e personave fizikë dhe juridikë të shtohet një person i përfshirë në zhvillimin dhe dërgimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore në Siri.

Të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor si vende anëtare të Zonës Ekonomike Evropiane janë harmonizuar me këto sanksione.

“Këto vende do të sigurojnë që politikat e tyre kombëtare të jenë në përputhje me këto vendime të Këshillit. Bashkimi Evropian e merr parasysh këtë angazhim dhe e mirëpret atë”, thuhet në tre deklarata të lëshuara nga Josep Borrell.

Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, në shkurt 2022, shkalla e harmonizimit të Serbisë me politikën e jashtme të përbashkët të BE-së ka rënë në mënyrë drastike, sepse vendi nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë.

Ndryshe, që nga agresioni i Federatës Ruse në Ukrainë, Serbia, ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, nuk i ka vënë sanksione Moskës, duke mos ndjekur kështu linjën e politikave të vendeve perëndimore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore