Shqipëria

BE përditëson listën COVID për udhëtimet, Shqipëria sërish jashtë


Bashkimi Evropian e ka përditësuar listën e shteteve të treta, të cilat do të lejohen të udhëtojnë pa arsye specifike drejt unionit, ku bie në sy fakti se Shqipëria sërish nuk është përfshirë ndër vendet që përfitojnë nga vendimi.

Janë 18, vendet e përfshira në përditësim.

Ndër to, asnjë nuk është pjesë e kontinentit evropian! Shumica e shteteve janë në Azi dhe Amerikën e Jugut.

Pjesë e listës janë Argjentina, Australia, Bahreini, Kanadaja, Kili, Jordania, Zelanda e Re, Katari, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Koreja e Jugut apo Kina.

Kjo e fundit gjithsesi, mbetet ende peng i reciprocitetit. Vetëm nëse Pekini zyrtar pranon certifikatat evropiane, mund të përfitojë nga hyrja lirisht në BE.

Lehtësimet priten edhe për disa vende të tjera, po për shqiptarët nuk ka diskutime ende.

Lista e përditësuar e shteteve të treta, të cilat përfitojnë nga udhëtimet e lira me BE-në

Vlen për t’u theksuar fakti se për çështje edukimi, biznesi apo shëndetësore, udhëtarët shqiptarë mund të shkojnë drejt unionit.

Kushtet për kualifikim ndërkohë, mbeten të njëjtat.

Një shtet nuk duhet të ketë më shumë se 75 raste me COVID për 100 mijë banorë në 14 ditët e fundit. Një trend zbritës i dukshëm është kusht për heqjen e masave mbi udhëtimet e lira.

Vendet duhet të kenë kryer mbi 300 teste për 100 mijë banorë. Nëse pozitivë dalin më shumë se 4% e tyre, atëherë vendi nuk kualifikohet.

Parasysh merret edhe niveli i vaksinimit dhe lufta që një shtet po kryen me virusin.

Mbi udhëtimet që kualifikohen si “me arsye”, përtej certifikatës së vaksinimit kërkohet edhe test PCR i vlefshëm brenda 72 orëve.

Disa shtete, të detyrueshëm, kanë edhe karantinimin në periudha të ndryshme ditore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore