Lajme

BE për shpalljen e dy organizatave terroriste në Veri: Hap i njëanshëm nga Kosova


Flamuri i BE-së dhe Kosovës.

“Vendim të njëanshëm”, e konsideron Bashkimi Evropian vendimin e Qeverisë së Kosovës për shpalljen e dy organizatave terroriste “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut.

Përveç kësaj, sipas BE-së, ky vendim as nuk i kontribuon uljes së tensioneve.

“Ky cilësim, shpallja si organizata terroriste, është hap i njëanshëm dhe nuk i kontribuon shtensionimit të situatës dhe gjetjes së rrugës për të adresuar problemet ekzistuese në një mënyrë të qëndrueshme”, tha zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Ai rikujtoi se liderët e 27 shteteve anëtare të BE-së gjatë një takimi të mbajtur javën e kaluar kishin bërë thirrje për shtensionim të menjëhershëm të situatës në Veri.

“Ne përsërisim thirrjen për të dyja palët që të përmbahen nga çdo veprim apo retorikë që mund të çojë në rritjen e mëtejme të tensioneve dhe që urgjentisht të ndërmarrin hapa për të shtensionuar situatën aktuale në veri të Kosovës në linjë me propozimin e bërë nga përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell, më 22 qershor dhe deklaratës së BE-së të 3 qershorit”.

Edhe nga Departamenti amerikan i Shtetit kanë thënë se Kosova nuk është koordinuar me ta e as me partnerët e tjerë perëndimorë lidhur me vendimin e ndërmarrë për “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut”.

Shpallja e dy organizatave në fjalë si terroriste vjen në kohën kur tensionet në Veri të Kosovës janë rritur.

Serbët që nga 26 maji po kundërshtojnë kryetarët e rinj të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit që u zgjodhën më 23 prill.

Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të shtensionojnë menjëherë situatën.

Shtatë vjet pas “shuarjes” së ashtuquajturës “Mbrojte Civile” në Veri të Kosovës në bazë të marrëveshjes së Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë, pjesëtarë të kësaj organizate kriminale u aktivizuan më 29 maj në Zveçan duke i plagosur dhjetëra ushtarë të KFOR-it,

Milun Milenkoviç, i njohur si “Llune”, i dyshuar për plagosjen e ushtarëve të KFOR-it, u prangos nga policia në Mitrovicën Veriore, pas një aksioni ku u lënduan tre policë dhe një veturë e tyre u dëmtua nga protestuesit serbë.

Ndërkaq vitin 2016, 483 pjesëtarë të “Mbrojtjes Civile” ishin integruar në institucione qendrore të shtetit të Kosovës, në bazë të ligjit për shërbimin civil, pas një procesi të rekrutimit ligjor.

“Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” shpallen organizata terroriste nga Qeveria e Kosovës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore