Zgjedhjet në Kosovë

BE pas zgjedhjeve: Rruga e Kosovës drejt BE-së kalon përmes normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë


“Rruga evropiane e Kosovës gjithashtu kalon përmes normalizimit gjithëpërfshirës të marrëdhënieve me Serbinë”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të  Josep Borrell, Përfaqësuesit të Lartë/Nënkryetarit të Komisionit Evropian dhe komisionerit Oliver Varhely, pas zgjedhjeve parlamentare në Kosovë.

BE-ja pret që autoritetet e reja në Prishtinë “të angazhohen në mënyrë konstruktive me qëllim vazhdimin e takimeve të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe të shfrytëzojnë mundësinë para tyre për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, thuhet në deklaratë.

“Bashkimi Evropian do të vazhdojë të angazhohet me autoritetet, me synimin për ta mbështetur Kosovën në arritjen e progresit të prekshëm në rrugën e saj evropiane”.

Kjo “arritje e prekshme në rrugën evropiane” do të kërkojë që Kosova të shënojë progres në reformat e udhëhequra nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit dhe Agjenda e Reformës Evropiane, si dhe në bashkëpunimin rajonal.

Përfaqësuesit në fjalë të Bashkimit Evropian janë në pritje të certifikimit të rezultateve përfundimtare, dhe shpresojnë në formimin e asamblesë dhe qeverisë së re, si dhe zgjedhjen e një presidenti të ri.

Është paralajmëruar se Bashkimi Evropian ka vendosur një Mision të Ekspertëve Zgjedhor (MEZ) që do të qëndrojë në Kosovë për t’i vëzhguar procedurat post-zgjedhore dhe për të dhënë rekomandime po ashtu.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore