Lajme

BE paralajmëron Serbinë: Mbështetja për sjelljen përçarëse në Republika Srpska do ketë pasoja


Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano, ka thënë se BE nuk mund ta kapërcejë faktin që vendet e rajonit [Serbia] të Ballkanit Perëndimor kanë mbështetur përfaqësuesit politikë Republika Srpska-s (RS) duke marrë pjesë në Ditën e “themelimit”.

Ai ka thënë se është për keqardhje shkuarja e tyre në atë “festë”.

“Kemi shprehur qartë keqardhjen që kemi parë disa partnerë që mbështesin veprime të tilla, retorika dhe sjellje të tilla sepse kërcënojnë stabilitetin rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore në rajon”.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano

“Të gjithë e dinë se kush ishte aty dhe kush i mbështeti këto veprime dhe sjellje të papërgjegjshme, përçarëse dhe negative gjatë festës [9 janar]”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Ai ka përcjellë një paralajmërim të hapur këtyre vendeve, duke theksuar se ata e dinë se kë nënkuptojnë dhe se nuk ka nevojë të veçohen.

“Pra, të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm se kjo nuk është e pranueshme për Bashkimin Evropian”, nëse vendet që janë në proces të integrimeve bëjnë një veprim të tillë, pra nëse ato “vazhdojnë me një sjellje të tillë, kjo do të ndikojë në përpjekjet e tyre për t’iu afruar Bashkimit Evropian. Dhe mendoj se në këtë kuptim deklarata ishte shumë e qartë”, ka deklaruar Stano.

Festimi i Ditës së RS-së shkaktoi një reagim nga Bashkimi Evropian, i cili të hënën, më 10 janar, dënoi “retorikën negative, përçarëse dhe nxitëse të liderëve të Republika Srpska (RS)”.

Milorad Dodik dhe Ana Bërnabiç

Dodik të shtunën e tetë janarit i ka pritur për festën e 30 vjetorit të themelimit të Republika Srpska-s mysafirët nga Serbia.

Delegacionin serb është udhëhequr nga kryeministrja, Ana Brnabiç. Në këtë delegacion kanë qenë thuajse të gjithë ministrat e kabinetit qeverisës serb, duke përfshi edhe udhëheqësit më të lartë ushtarak.

Mirëpo, kjo datë është shpallur anti-kushtetuese nga ana e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës (BeH).

Ambasada e SHBA-ve në Sarajevë të enjten e gjashtë janarit i ka thënë se “festimi i Ditës së Republika Srpska më 9 janar është jokushtetues” dhe se “vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë dhe Hercegovinës (BeH) janë përfundimtare dhe detyruese”.

Ambasada e ShBA-ve në Sarajevë

Departamenti amerikan i Thesarit ka njoftuar për zgjerimin e sanksioneve për vepra korruptive, në të cilat është përfshirë anëtari serb i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik.

Siç thuhet në njoftim, sanksionet janë vendosur edhe ndaj Televizionit ‘Alternativa’ nga Banja Lluka, që ndërlidhet me familjen e Dodikut.

“Dodiku ka minuar institucionet e Bosnje e Hercegovinës duke bërë thirrje për marrjen e kompetencave shtetërore dhe duke iniciuar krijimin e institucioneve paralele në entitetin e Republikës Srpska të Bosnje e Hercegovinës”.

“Për më tepër, Dodik ka përdorur pozitën e tij zyrtare që ka në Bosnje për të përfituar pasuri për vete përmes ryshfetit dhe formave të tjera të korrupsionit. Retorika e tij ndarëse ento-nacionaliste reflekton në përpjekjet e tij për të avancuar këto qëllime politike dhe për të shpërqendruar vëmendjen nga aktivitetet e tij korruptive”.

“Këto veprime kërcënojnë stabilitetin, sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje e Hercegovinës dhe minojnë Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit, dhe në këtë mënyrë rrezikojnë stabilitetin më të gjerë rajonal”, thotë ndër të tjera Departamenti amerikan i Thesarit.

Departamenti i Thesarit ka thënë se sanksionet shprehin përkushtimin e Administratës së Presidentit amerikan, Joe Biden, për të promovuar llogaridhënien “për ata, që mes tjerash, minojnë stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor përmes korrupsionit dhe kërcënimeve ndaj marrëveshjeve afatgjata të paqes”.

Më 9 janar të vitit 1992, serbët lokal në territorin e tanishëm të Republika Srpska-s kishin shpallur këtë territor të pavarur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore