Shqipëria

BE në Shqipëri kujton Ditën Ndërkombëtare të Romëve


8 prilli është caktuar si dita Ndërkombëtare e Romëve gjatë Kongresit të katërt të Unionit Ndërkombëtar Rom, në vitin 1990 në Poloni.

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, me anë të një video në Facebook, ka sjellë në vëmendje këtë ditë, e cila ka si qëllim ndërgjegjësimin e shoqërisë mbi sfidat që kalon komuniteti Rom në mbarë botën.

Në videon e postuar nga delegacioni shfaqen disa persona të komunitetit rom, të cilët japin mesazhe të ndryshme për të drejtën e tyre për të votuar dhe për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021.

Ndër mesazhet e dhëna, bie në sy ai i mos shitjes së votës. Gjithashtu bëhen thirrje që “vota duhet t’i jepet atij subjekti politik, i cili përfaqëson më së miri komunitetin në Parlament”.

Një ndër kërkesat ishte edhe zbatimi i të drejtave të minoritetit Rom, fuqizimi i grave dhe shërbimi social për fëmijët.

Albanian Post ka marrë disa prononcime nga përfaqësues të ndryshëm të subjekteve politike në vend, në lidhje me programet e tyre për minoritetet, ku bën pjesë edhe komuniteti rom.

Partitë kryesore kanë shprehur angazhimin e tyre në përpjekjen për përmirësimin e jetesës për pakicat kombëtare. Ata kanë premtuar shkolla, përdorimin e gjuhës së tyre në institucione etj.

Sipas Kushtetutës shqiptare, anëtarëve të minoriteve u mundësohet e drejta e vetidentifikimit, e mbrojtjes nga diskriminimi, e organizimit dhe përfaqësimit.

Pakicave kombëtare në Shqipëri u është siguruar liria e besimit dhe e drejta për të qenë pjesëmarrëse në jetën publike, kulturore, sociale dhe ekonomike.

Deri tani, në vend nuk është regjistruar asnjë rast ku pakicat kombëtare të jenë konfliktuar me njëra-tjetrën apo me popullin shqiptar.

Gjithashtu, shteti shqiptar, për të respektuar traditat dhe zakonet e pakicave, u ka dhënë të drejtën që të ruajnë identitetin e tyre kulturor, të arsimohen në gjuhën e tyre, të shprehin mendimin dhe të flasin gjuhën e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore