Lojëra

BE miraton blerjen e Activision Blizzard nga Microsoft-i


BE-ja ka miratuar blerjen e Microsoft-it prej 69 miliardë dollarësh të krijuesit të Call of Duty Activision Blizzard.

Një lëvizje kjo, që tërhoqi reagime të menjëhershme nga homologu i saj në Mbretërinë e Bashkuar, i cili tashmë ka bllokuar mega-marrëveshjen e lojërave.

BE pranoi koncesionet e Microsoft për lojërat në cloud, i njëjti problem që bëri që Autoriteti i Konkurrencës dhe Tregjeve (CMA) të bllokonte transaksionin muajin e kaluar.

Marrëveshja e propozuar synon të bashkojë Microsoft-in, prodhuesin e Xbox-it, me zhvilluesin e lojërave video, titujt hit të të cilit përfshijnë gjithashtu World of Warcraft, Hearthstone, Candy Crush Saga dhe Overwatch.

Miratimi nga Komisioni Evropian, krahu ekzekutiv i bllokut, do të ringjallë shpresat e Microsoft-it për marrëveshjen ndërsa përgatitet të apelojë kundër vendimit të CMA.

Komisioni Federal i Tregtisë (FTC) në SHBA gjithashtu ka dalë kundër marrjes dhe ka paditur për ta bllokuar atë.

Sakaq, hetimi paraprak i komisionit kishte zbuluar se marrëveshja mund të dëmtojë konkurrencën në lojërat cloud, e cila i lejon përdoruesit të transmetojnë video lojëra të ruajtura në serverët e largët në pajisjet e tyre dhe në furnizimin e sistemeve operative rivale.

Ishte shqetësimi se nëse lojtarët mund të transmetonin Call of Duty vetëm përmes një shërbimi transmetimi ekskluziv të Windows, atëherë mund të kishin më pak gjasa të kalonin në sisteme të tjera operative si Mac OS ose Linux.

Megjithatë, komisioni tha se kishte pranuar zgjidhjet e propozuara të Microsoft.

Kompromisi përfshin ofrimin e licencave falas të Microsoft-it për një periudhë 10-vjeçare, duke lejuar konsumatorët evropianë që blejnë lojëra PC dhe konsolë Activision t’i transmetojnë ato në shërbime të tjera të lojërave cloud.

Komisionerja e konkurrencës e BE-së, Margrethe Vestager, tha se vendimi do t’i sjellë lojërat e Activision në “shumë më shumë pajisje dhe konsumatorë se më parë, falë transmetimit të lojërave në cloud”.

“Angazhimet e ofruara nga Microsoft do të mundësojnë për herë të parë transmetimin e lojërave të tilla në çdo shërbim të transmetimit të lojërave cloud, duke rritur konkurrencën dhe mundësitë për rritje”.

CMA tha se i qëndronte vendimit të saj për të bllokuar marrëveshjen. “Propozimet e Microsoft-it, të pranuara nga Komisioni Evropian sot, do të lejojnë Microsoft-in të vendosë termat dhe kushtet për këtë treg për 10 vitet e ardhshme”.

Vendimi i BE-së do të ndihmojë Microsoft-in nëse firma amerikane e teknologjisë arrin të përmbysë CMA në gjykatën e apelit të konkurrencës në Mbretërinë e Bashkuar, sipas Anne Witt, një profesoreshë e ligjit antitrust në shkollën e biznesit EDHEC në Francë.

Përndryshe, kundërshtimi i Mbretërisë së Bashkuar ende mund të detyrojë braktisjen e transaksionit.

“Ka ndryshim nëse ata arrijnë të anulojnë vendimin në gjykatën e apelit të konkurrencës në Mbretërinë e Bashkuar. Por nëse Microsoft humbet në Mbretërinë e Bashkuar, loja ka mbaruar, përveç nëse Microsoft vendos të tërhiqet nga tregu i Mbretërisë së Bashkuar”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore