Lajme

BE mbledh ministrat e Jashtëm, konferencë e jashtëzakonshme për situatën Izrael-Palestinë


Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian do të mblidhen në një konferencë virtuale të jashtëzakonshme të martën e 18 majit, për të diskutuar mbi konfliktin e përshkallëzuar Izrael-Palestinë dhe mënyrat se si Evropa mund të ndihmojë në qetësimin e situatës.

Lajmin e ka bërë të ditur përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikat e Jashtme, Josep Borrell.

“Numri i civilëve që kanë humbur jetën është i papranueshëm”, shkruan Borrell në Twitter. “Po thërras një konferencë të jashtëzakonshme të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të martën”.

Sipas deklaratave të ardhura edhe më parë, sulmet e Hamasit dhe grupimeve të tjera janë dënuar nga BE-ja.

Pavarësisht kësaj, një thirrje është bërë edhe për izraelitët.

“Izraeli ka të drejtë të mbrohet duke u kundërpërgjigjur. Pavarësisht kësaj, ata duhet të veprojnë në mënyrë proporcionale dhe të shmangin viktimat civile”.

Kërkesa për t’i dhënë fund përshkallëzimit të konfliktit, vazhdon të jetë e fortë nga instancat evropiane.

“Shkaqet themelore që kanë çuar në këtë situatë duhet të adresohen. Statu quo-ja e vendeve të shenjta duhet të respektohet dhe të shmangen çdo akt nxitje rreth tyre”, nënvizoi Borrell.

Udhëzime janë dhënë edhe për Sven Koopmans, përfaqësuesin special të BE-së për procesin e paqes në Lindjen e Mesme.

“Duhet punuar në mënyrë aktive për të adresuar krizën. Delegacionet e BE-së në Tel Aviv dhe Jerusalem duhet të jenë në terren. Ato duhet të angazhohen me autoritet izraelite dhe palestineze për të zgjidhur konfliktin”.

Situata gjatë javës së fundit është rënduar së tepërmi. Numri i viktimave ka kaluar mbi 140 nga pala palestineze. Mes tyre, janë edhe dhjetëra fëmijë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore