
Kryetari i Këshillit për të Drejtat e Njeriut në Luginën e Preshevës, Belgzim Kamberi, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian (BE) që të fillojë një hetim në lidhje me pasivizimin e adresave në tri komunat e banuara me shumicë shqiptare në jug të Serbisë – Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.
Në një prononcim për rrjetin evropian të lajmeve në gjuhën shqipe “Euronews Albania”, ai ka përshëndetur fjalimin e presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), ka ngritur çështjen e pasivizimit të adresave.
“Kjo është ajo që do duhet të bënin autoritetet e Republikës së Shqipërisë për çështjen e pasivizimit dhe mos-respektimin e marrëveshjeve nga ana e Serbisë për shqiptarët në Luginën e Preshevës. Deklarata e presidentit Begaj në OKB është e mirëseardhur”, ka thënë Kamberi.
Ai gjithashtu ka theksuar se ajo çfarë duhet të bëjë diplomacia shqiptare është që çështja e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës të vendoset kusht për anëtarësimin e Serbisë në BE, sikurse çështja e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe për Kosovën.
“Ky është një shteg i mundshëm që diplomacia shqiptare edhe ajo kosovare çdo herë e më shumë të shtynin këtë çështje që pasivizimi i adresave të bëhej kushtëzim nga ana e BE-së, ashtu siç po ndodh me Asocacionin e Komunave me shumicë serbe”, ka theksuar ndër të tjera Kamberi.
Politika diskriminuese e Serbisë në Luginën e Preshevës qëndron në faktin se në momentin kur një qytetari shqiptar i pasiviziohet adresa e vendbanimit dhe më pas fshihet nga regjistri civil, ai/ajo nuk mund të marrë letërnjoftim të ri ose pasaportë.
Po ashtu, qytetari shqiptar nuk gëzon të drejtën e shërbimeve mjekësore ose asistencës sociale, nuk mund të bëjë regjistrimin e makinës, nuk mund të blejë apo shesë pronën dhe nuk mund të votojë në zgjedhjet lokale ose të përgjithshme në Serbi.
Përfaqësuesit e shqiptarëve dhe boshnjakëve në Serbi kanë kërkuar vazhdimisht reciprocitet të të drejtave me serbët që jetojnë në Kosovë, pas pakënaqësive me statusin e tyre në përgjithësi, posaçërisht në Novi Pazar, Tutin e Sjenicë në Sanxhak dhe në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Maqedonci për arrestimin e pjesëtarit të FSK-së: Do të veprohet në përputhje me rregullorët
-
Putini kërkonte ‘kolapsin energjetik’ të Berlinit
-
Italia në kërkim të punëtorëve të huaj, punëdhënësit paraqesin mbi 600 mijë aplikime
-
I arrestuari i tretë për vrasjen në Prishtinë është pjesëtar i FSK-së, e konfirmon Ministria e Mbrojtjes