Kosova

BE-ja “s’do të heq dorë” nga marrëveshjet e dialogut – zbatimi unilateral (s’)do të prodhojë “rezultate impresive” për Kosovën


Ilustrim

Ideja e implementimit unilateral të obligimeve në kuadër të dialogut është një “salto mortale” për Kosovën, përkundër se mund të prodhojë rezultate, posaçërisht në përmirësimin e imazhit të vendit, konsiderojnë njohës të çështjeve politike, por megjithatë shtojnë se Bashkimi Evropian (BE) nuk do të heq dorë nga “marrëveshja historike” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë të hënën e 19 gushtit, duke qenë se Serbia vazhdon të pengojë avancimin në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Implementimit, propozoi që autoritetet në Kosovë t’i zbatojë obligimet e dialogut në mënyrë unilaterale.

Osmani nënvizoi se nëse BE-ja nga pozita e lehtësuesit në procesin e dialogut konstaton se “nuk ka marrëveshje” mes Kosovës dhe Serbisë, atëherë autoritetet kosovare duhet të ndjekin strategjinë e njëjtë sikurse në kohën kur e zbatuan në mënyrë të njëanshme planin e ish-presidenti finlandez, Marti Ahtisaari, mbi bazën e të cilit janë hartuar elemetet e shtetësisë së Kosovës.

“Unë mendoj se nëse BE-ja konstaton se nuk ka marrëveshje, të njëjtat detyrime duhet t’i diskutojmë në një plan të ri me partnerët tanë. E njëjta strategji është ndjekur në vitet e para-pavarësisë. Serbia ka refuzuar që ta pranojë dhe ta zbatojë planin e Ahtisaarit, por ne e kemi implementuar pjesën tonë sepse kemi pasur marrëveshje me komunitetin ndërkombëtar”.

Për analistin politik, Rrahman Paçarizi, zbatimi unilateral i obligimeve mund të prodhojë “rezultate impresive” në rrafshin ndërkombëtar, veçanërisht në kontekstin e marrëdhënieve të dëmtuara me aleatët, por njëkohësisht mund të sjellë “pasoja të pandreqshme” në optikën e realiteteve të reja gjeopolitike.

“Qasja rreth implementimit unilateral të marreveshjeve është një salto mortale që mund të prodhojë rezultate impresive, duke qenë se Kosova do të konsiderohej partnere e besueshme, por mund të prodhojë edhe pasoja të pandreqshme në konstelacionet e paqëndrueshme ndërkombetare, ku Serbia përfiton në vazhdimësi për shkak të pozicionit mes Lindjes dhe Perendimit”.

“Prandaj, mendoj se kjo qasje duhet shqyrtuar me shumë kujdes, por paraprakisht pozicioni ndërkombëtar i Kosovës duhet të kthehet të paktën pesë vjet pas”, thekson Paçarizi, duke qenë se marrëdhëniet mes qeverisë kosovare dhe kancelarive perëndimore janë pothuajse në gradën e fundit.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për rrugën drejt normalizimin e marrëdhënieve në fillim të vitit të kaluar, fillimisht në Bruksel të Belgjikës, pastaj në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Por, përkundër insistimit të diplomatëve evropianë se Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit janë ligjërisht obligative, nuk kanë arritur t’i bindin palët që ta zbatojnë të njëjtën.

Prishtina, ndërkohë, nuk ka pranuar që prioritet kryesor të jetë themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, apo që zbatimi i marrëveshjes të nisë nga themelimi i këtij mekanizmi, ndërsa Beograd ka refuzuar t’i zbatojë obligimet që burojnë nga dialogu, kryesisht sa i përket anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe integritetit territorial të Kosovës.

Afrim Kasolli, analist politik, duke u nisur nga konteksti historik, vlerëson se Kosova nuk mund të veprojë sikurse në kohën e procesit të Vjenës për shkak se BE-ja sot mbron një pozicion krejt të ndryshëm nga atëbotë Grupi i Kontaktit në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), posaçërisht sa i përket procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai përmend edhe faktin se BE-ja ka ndryshuar kushtet nga kapitulli 35 në kuadër të kornizës negociuese për anëtarësimin e Serbisë, i cili përveç mbulimit të kritereve formale për shtetin serb, adreson edhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

“Nuk mund të pritet që BE-ja të heq dorë nga kjo marrëveshje, sepse para pak kohe, të njëjtin dokument e ka integruar në kapitullin 35 të kornizës negociuese për Serbinë, në të cilin zbatimi i marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve është bërë edhe kusht formal për Serbinë në procesin e negociatave të anëtarësimit”, kujton ndër të tjera Kasolli.

Sidoqoftë, propozimi i Osmanit, sipas ish-deputetit kosovar, nuk gëzon as miratimin e brendshëm, duke qenë se krymenistri i Kosovës, Albin Kurti, ka kritikuar shpesh këtë qasje të ndjekur nga ish-ekipi negociator në Vjenë, duke thënë se “Serbia ka marrë nga Kosova, pa dhënë asgjë në këmbim”.

Ndryshe, përderisa terreni i kërkimit të madh për përgjigjet dhe “formulën e zgjidhjes” pritet të vazhdojë edhe përgjatë këtij viti, mbetet për t’u parë nëse “skenarët e dhunës” që mund të rezultojnë për shkak çështjeve të hapura dhe tensioneve ekzistuese do të zgjerohen, apo Kosova dhe Serbia do të fillojnë zbatimin paralel të marrëveshjeve në funksion të kauzës së paqes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore