Lajme

BE-ja mirëpret dakordimin mes KEDS-it dhe “Elektroseverit”: Të zbatohen edhe marrëveshjet tjera


Flamujt e Bashkimit Evropian

Bashkimi Evropian ka mirëpritur nënshkrimin e kontratës komerciale mes Kompanisë kosovare për Distribuim dhe Furnizim (KEDS), me “Elektroserver”, kompani e sapothemeluar sipas ligjeve të Kosovës, derisa kanë kërkuar që të zbatohen edhe marrëveshjet e tjera që janë dakorduar mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Unioni.

“Ky është një hap i rëndësishëm drejt zbatimit të plotë të Udhërrëfyesit për Energjinë, për të cilën u ra dakord në qershor 2022 në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE, duke mundësuar zbatimin e Marrëveshjeve për Energjinë të 2013 dhe 2015”, thuhet në reagimin e BE-së.

Lidhja e kësaj kontrate, theksohet aty, “nënkupton që ‘Elektrosever’ do të fillojë furnizimin me energji elektrike për katër komunat Veriore të Kosovës me shumicë serbe [Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut]”. “Kjo do t’i japë fund praktikës aktuale të parregulluar”, shtuan.

Nga Unioni kanë lavdëruar të gjitha ata që kanë qenë të përfshirë dhe që e kanë bërë të mundur këtë marrëveshje, dhe “pret që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë me shpejtësi zbatimin e Udhërrëfyesit për Energjinë, si dhe të gjitha Marrëveshjet e tjera të dialogut në interes të normalizimit të marrëdhënieve”.

Fillimisht lajmin për nënshkrimin e marrëveshjes mes KEDS-it dhe “Elektroserverit”, të shtunën e dha i Dërguari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

“E mirëpres nënshkrimin e sotëm të kontratës komerciale mes KEDS-it dhe ‘Elektroserverit’. Ky është hap i rëndësishëm në implementimin e Udhërrëfyesit për Energjinë të lehtësuar nga BE-ja dhe në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, shkroi Lajçak në platformën X.

Miroslav Lajçak

Elektrosever pronë e kompanisë energjetike të Serbisë – EPS, por në Kosovë është themeluar me ligje të Kosovës.

Kjo kompani është paraparë të bëjë edhe furnizimin, edhe faturimin e rrymës së shpenzuar në Veri të Kosovës.

Me këtë marrëveshje synohet të rregullohet çështja e furnizimit dhe faturimit të energjisë elektrike për katër komunat në Veri të Kosovës, ndërsa BE-ja e kishte pranuar se ka vonesa në zbatimin e tij, duke theksuar se përgjegjësinë përfundimtare për zbatimin e udhërrëfyesit e kanë Kosova dhe Serbia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore