Aplikacione

BE-ja mbështet flukset e të dhënave personale me Britaninë


Komisioni Evropian ka deklaruar se Bashkimi Evropian ka rënë dakord që standardet britanike për mbrojtjen e të dhënave personale janë mjaft të larta për të lejuar që informacioni të vazhdojë të rrjedhë midis bllokut dhe ish-anëtarit të tij.

Agjencia e lajmeve, Reuters, tregon se ekzekutivi i BE-së ka marrë dy vendime “të mjaftueshmërisë”, të cilat përfshijnë masa mbrojtëse të tilla si skadimi automatik pas katër vjetësh.

Dhe kjo rezulton të jetë hera e parë që BE-ja ka përdorur një klauzolë të tillë.

Për sa u përket vendimeve, ato kanë të bëjnë me Rregulloren e Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave n ë BE (GDPR) dhe me një direktivë mbi përpunimin e të dhënave personale të lidhura me vepra penale, veçanërisht për viktimat, dëshmitarët dhe të dyshuarit.

Këto vendime prekin bizneset britanike që mbështeten në flukset ndërkombëtare të të dhënave ose që veprojnë brenda BE-së dhe kanë nevojë për qasje në të dhënat e klientëve.

Gjithashtu do të garantojnë rrjedhën e të dhënave për policinë dhe prokurorët që hetojnë krimin ndërkufitar.

Nëse rregullat britanike korrespondojnë me standardet e BE-së, vendimet për përshtatshmëri do të rinovohen. Komisioni gjithashtu mund të ndërhyjë gjatë periudhës katër vjeçare nëse Britania devijon nga niveli aktual i mbrojtjes.

Reuters tregon se vendimet u kërkuan deri më datë 30 qershor. Kjo për të lejuar një tranzicion të përsosur në fund të një periudhe gjashtë mujore gjatë së cilës lejoheshin flukse pas daljes përfundimtare të Britanisë nga blloku.

Gjatë këtij muaji, shtetet anëtare të BE-së mbështetën propozimet e Komisionit.

Më parë, BE-ja ka njohur si adekuate standardet e të dhënave të vendeve të tjera, të tilla si Argjentina, Kanadaja, Izraeli, Japonia, Zelanda e Re dhe Zvicra.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore