Lajme

BE-ja, kufizime në bazë të situatës së udhëtarit prej 1 shkurtit


Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian prej datës 1 shkurt këshillohen të heqin kufizimet aktuale të COVID-it në vendin e nisjes dhe t’i zëvendësojnë ato me kufizime në bazë të situatës së udhëtarit.

Kjo pasi Këshilli i BE-së ka miratuar një rekomandim të ri në një tjetër përpjekje për të lehtësuar lëvizjen e lirë të sigurt.

Në të, shtetet anëtare udhëzohen të marrin parasysh statusin e udhëtarit, në vend të vendit të tij të nisjes.

“Kjo do të thotë që statusi i vaksinimit, testit ose rikuperimit të një udhëtari ndaj COVID-19, siç dëshmohet nga një certifikatë e vlefshme digjitale e BE-së për COVID-19, duhet të jetë përcaktuesi kryesor”, ka dalluar Këshilli në një njoftim për shtyp.

Dhe se “një qasje e bazuar te personi do të thjeshtojë ndjeshëm rregullat e zbatueshme dhe do të sigurojë qartësi dhe parashikueshmëri shtesë për udhëtarët”.

Lidhur me rekomandimin, ai hyn në fuqi më 1 shkurt, në të njëjtën ditë kur shtetet anëtare shkurtojnë vlefshmërinë e certifikatave të vaksinimit maksimumi në 270 ditë.

Ndërkaq, për ata që nuk kanë një certifikatë digjitale të BE-së për COVID-19, do të duhet të testohen 24 orë para ose pas mbërritjes.

Nga kjo përjashtohen fëmijët nën moshën 12 vjeç, si dhe ata me një nevojë thelbësore apo udhëtarët ndërkufitarë.

Komisionerja për Shëndetësinë, Stella Kyriakides dhe Komisioneri për Drejtësinë, Didier Reynders, kanë thënë se masa rikonfirmon se posedimi i një certifikate të vlefshme digjitale të BE-së duhet të jetë e mjaftueshme kur udhëtohet.

“Kjo marrëveshje e vendos kështu certifikatën digjitale të BE-së për COVID-in në qendër të qasjes sonë të koordinuar. Është e rëndësishme që shtetet anëtare të ndjekin këtë marrëveshje dhe të zbatojnë rregullat e rëna dakord pa vonesë”, ka dalluar komisionerja.

Sipas saj, shteteve anëtare u takon të zbatojnë rekomandimin bazuar në situatën e tyre.

Dhe se vendet duhet të ndërpresin masat shtesë të udhëtimit që e kanë bërë udhëtimin më të rëndë dhe më pak të parashikueshëm në të gjithë bllokun në javët e fundit për shkak të përhapjes së variantit Omicron.

Ndërkaq, rekomandimi vjen në një kohë kur Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) ka pohuar se kontinenti i Evropës mund të jetë në gjendje t’i japë fund fazës së urgjencës COVID-19 në vitin 2022.

E gjitha sepse varianti shumë i transmetueshëm Omicron ka rezultuar të jetë më pak i rëndë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore