Lajme

BE-ja kërcënon të largohet nga bisedimet në COP27


Shefi i klimës i Bashkimit Evropian, Frans Timmermans, deklaroi se blloku është “i përgatitur të largohet” nga bisedimet për klimën COP27 në Egjipt.

Kjo, nëse nuk arrihet përparim në mbajtjen gjallë të objektivit të kufizimit të ngrohjes globale në 1.5 gradë Celsius deri në fund të këtij shekulli.

Lajmi u bë i ditur nga kompania “Bloomberg”.

Timmermans kritikoi ambicien e treguar nga presidenca egjiptiane e bisedimeve në qytetin bregdetar të Sharm El-Sheikh, duke thënë se ajo dështoi ta afronte botën më pranë një objektivi kryesor klimatik.

Ndërsa një rezultat pozitiv ishte ende i arritshëm, Timmermans tha se kishte shqetësime për çështjen më të diskutueshme të këtyre bisedimeve: ngritjen e një objekti të dedikuar për humbje dhe dëmet.

Për humbjet dhe dëmet, teksti i paraqitur nuk përfshinte thirrjen e BE-së që fondi të zbatohej vetëm për vendet më të cenueshme nga klima, sipas zyrtarit, i cili tha se dokumenti në vend të kësaj i referohej një kategorie më të gjerë të “vendeve në zhvillim”.

Kjo e fundit, do të përfshinte vende si Katari dhe Arabia Saudite.

Propozimi i BE-së i shpallur nga Timmermans i përgjigjet kërkesave të vendeve në zhvillim që po vuajnë më shumë nga ngjarjet ekstreme të motit të nxitura nga ngrohja globale që ato nuk e shkaktuan.

Blloku gjithashtu dëshiron që baza e donatorëve për një strukturë të humbjes dhe dëmeve të zgjerohet për të përfshirë emetuesit e lartë të kohëve të fundit, si Kina.

Një numër vendesh, duke përfshirë Indinë, SHBA-të, BE-në dhe shtetet e vogla ishullore kanë bërë gjithashtu thirrje për heqjen e të gjitha lëndëve djegëse fosile.

“BE është e bashkuar në ambicien tonë për të ecur përpara dhe për të ndërtuar mbi atë që ramë dakord në Glasgow”, tha Timmermans. “Mesazhi ynë për partnerët është i qartë: ne nuk mund të pranojmë që 1.5C të shuhet këtu dhe sot”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore