Kosova

BE-ja e gatshme për të larguar masat ndaj Kosovës, nëse do të ketë përparim në përmbushjen e kërkesave


Flamuri i Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Masat e BE-së ndaj Kosovës mund të hiqen “nëse do të ketë përparim në përmbushjen e kërkesave”

Masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës mund të largohen nëse do të ketë përparim në përmbushjen e kërkesave.

Ministrat e Bashkimit Evropian, janë duke diskutuar të martën në takimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme, për paketën e zgjerimit të bllokut evropian.

Në pjesën ku flitet për Kosovën sa u përket masave, të cilat BE-ja i ka vendosur ndaj Kosovës, të cilat janë arsyetuar me “mungesën e hapave të vendosur për të shtensionuar situatën në veri”, shprehet gatishmëria që ato masa të largohen, në rast se do të ketë përparim në përmbushjen e kërkesave.

“Këshilli mirëpret ndërmarrjen e hapave drejt zbatimit të disa kërkesave të BE-së. Këshilli rikujton se BE-ja mbetet e gatshme që të heqë masat, në rast të progresit të mëtejmë në përmbushjen e kërkesave ekzistuese”, thuhet në tekst.

Siç raporton Radio Evropa e Lirë, në këtë takim do të miratohen edhe konkluzat, ndonëse ka pasur paralajmërime se ato nuk do të kalojnë, pasi Hungaria ka paralajmëruar se do t’i bllokojë me veto.

Po ashtu, Këshilli i BE-së do të ftojë Kosovën që të bëjë më shumë në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërkohë që mirëpret hyrjen në fuqi të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, që do të nisë më 1 janar të vitit të ardhshëm.

Pjesa më e madhe e konkluzave, që i kushtohet Kosovës, ka të bëjë me situatën e sigurisë në Veri dhe me dialogun me Serbinë.

“Këshilli është thellësisht i shqetësuar për situatën në veri të Kosovës, përfshirë edhe atë të sigurisë. Disa veprime të njëanshme nga Kosova dhe Serbia, sikur edhe dorëheqja kolektive e serbëve të Kosovës nga institucionet, dhe bojkoti i zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës, kanë shtuar edhe më shumë tensionet”.

Këshilli do të dënojë ashpër “sulmet e dhunshme të protestuesve serbë të Kosovës ndaj trupave të KFOR-it, organeve të rendit dhe mediave, më 29 maj 2023. Zgjedhjet e reja në veri të Kosovës duhet të zhvillohen sa më parë që të jetë e mundur dhe serbët e Kosovës duhet të marrin pjesë në to pa asnjë parakusht”.

“Serbët e Kosovës, po ashtu, duhet të kthehen në institucionet nga të cilat janë larguar. Kjo duhet të lehtësohet nga Kosova dhe të inkurajohet nga Serbia”, thuhet në këtë draft.

Këshilli, edhe përmes këtyre konkluzave, do të përsërisë se nuk ka justifikim për dhunën, dhe do të dënojë sulmet ndaj Policisë së Kosovës në Banjë, më 24 shtator.

“Këshilli nënvizon përmirësimin e bashkëpunimit mes Policisë së Kosovës dhe EULEX-it lidhur me këtë sulm. Këshilli mirëpret forcimin e pranisë së KFOR-it, posaçërisht në vijën kufitare/administrative mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në tekst dhe i bëhet thirrje edhe Kosovës edhe Serbisë që të përmbahen nga retorika nxitëse.

Këshilli do ta ftojë përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialog mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, që të plotësojë agjendën për takimin e radhës të Grupit Special për Normalizim, për të marrë parasysh obligimet e Kosovës që dalin nga Marrëveshja dhe aneksi i zbatimit.

Kosova do të ftohet urgjentisht, dhe në mënyrë konstruktive, të angazhohet në aktivitetet e bashkëpunimit rajonal dhe të respektojë obligimet nga Marrëveshja për Tregti të Lirë – CEFTA dhe Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit, përfshirë edhe duke hequr vendimin për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia.

Dekonstruktim – cilat projekte saktësisht i humbi Kosova me sanksionet nga BE

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore