Pajisje

BE/ Hetime mbi përdorimin e shërbimeve cloud nga sektori publik


Në Evropë, mbikëqyrësit e privatësisë kanë njoftuar se do të nisin hetime të përbashkëta me 22 rregullatorë kombëtarë për përdorimin e shërbimeve të bazuara në cloud nga sektori publik.

Lëvizja vjen për të kontrolluar nëse ato janë në përputhje me masat mbrojtëse të privatësisë, tregon agjencia e lajmeve “Reuters”.

Këto hetime pritet të mbulojnë mbi 80 organe publike në të gjithë Zonën Ekonomike Evropiane, duke përfshirë institucionet e BE-së, që mbulojnë sektorë të tillë si shëndetësia, financat, taksat, arsimi dhe ofruesit e shërbimeve të IT-së.

Të paktën kështu ka bërë me dije Bordi Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave (EDPB).

Kompanitë amerikane të cloud-it si AWS e Amazon-it, Alphabet e Google-it, Oracle dhe Azure e Microsoft-it kanë ndërtuar qendra të dhënash në të gjithë Evropën në përgjigje të kërkesës në rritje nga organizatat e sektorit privat dhe publik.

Organi i BE-së ka treguar se pandemia ka nxitur një transformim digjital të shumë organizatave të sektorit publik.

Kështu që, ato mund të përballen me vështirësi në marrjen e produkteve dhe shërbimeve që përputhen me rregullat e BE-së për mbrojtjen e të dhënave.

Rregullorja e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR) është krijuar për të mbrojtur të drejtat e privatësisë së individëve të BE-së dhe zbatohet për të gjitha kompanitë që përpunojnë ose kontrollojnë informacionin personal të banorëve të BE-së.

Vitin e kaluar, Mbikëqyrësi Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave hapi hetime mbi përdorimin e shërbimeve kompjuterike cloud të ofruara nga Amazon dhe Microsoft nga Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian.

Hetimet erdhën si pasojë e shqetësimeve rreth transferimit të të dhënave personale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Si organet qeveritare ashtu edhe ato private janë mbështetur gjithnjë e më shumë në shërbimet cloud nga ofruesit e mëdhenj amerikanë të qeverisur nga legjislacioni që lejon aktivitete jo-proporcionale të mbikëqyrjes nga autoritetet amerikane.

Dhe përpara fundit të vitit 2022, EDPB-ja do të publikojë një raport mbi rezultatin e kësaj analize.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore