Aplikacione

BE hap hetimet ndaj Apple, Meta dhe Google


Bashkimi Evropian ka njoftuar hetime ndaj disa prej firmave më të mëdha të teknologjisë në botë për praktika jo konkurruese.

Alphabet që zotëron Google, Meta dhe Apple po shqyrtohen të gjitha për shkelje të mundshme të Aktit të Tregjeve Digjitale (DMA) i prezantuar në vitin 2022.

Firmat në fjalë, nëse zbulohen se kanë thyer rregullat, mund të përballen me gjoba të mëdha deri në 10 për qind të xhiros së tyre vjetore.

Ka qenë shefja antitrust e BE-së Margrethe Vestager dhe kreu i industrisë Thierry Breton që kanë njoftuar hetimet.

Sakaq, njoftimi vjen tre javë pasi BE-ja gjobiti kompaninë Apple me 1.8 miliardë euro për shkeljen e ligjeve të konkurrencës mbi transmetimin e muzikës.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë akuzuar po ashtu Apple-in për monopolizimin e tregut të telefonave inteligjentë në një padi të rëndësishme kundër gjigantit të teknologjisë të prezantuar javën e kaluar.

Kurse në hetimin e shpallur sot, BE beson se Apple dhe Alphabet po e bëjnë të vështirë për aplikacionet t’u tregojnë përdoruesve mënyrat për të paguar më pak për shërbimet e tyre jashtë përdorimit të metodave të pagesave të dyqaneve të aplikacioneve.

Gjithashtu po shqyrton nëse Meta ka shkelur rregullat duke u kërkuar njerëzve të paguajnë për të shmangur përdorimin e të dhënave të tyre për reklama.

Sipas Breton, lëvizja ka “detyruar miliona përdorues në të gjithë Evropën në një zgjedhje binare: të paguajnë ose të miratojnë”.

Ndërsa sipas Vestager, hetimi do të zgjasë rreth 12 muaj për të përfunduar.

“Ne dyshojmë se zgjidhjet e sugjeruara të paraqitura nga tre kompanitë nuk përputhen plotësisht me DMA-në”, ka thënë ajo.

“Tani do të hetojmë pajtueshmërinë e kompanive me DMA-në, për të siguruar tregje digjitale të hapura dhe të kontestueshme në Evropë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore