BE duhet të ishte më serioze me integrimin rajonal, thotë Rama

Rajmonda Basha
22.01.2024 10:27
Loading Icons...

“Duhet të paramendoni ku do ishim nëse BE do ishte më serioze me integrimin rajonal”.

Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama në tryezën e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të lartë të administratës amerikane e të BE.

Ai theksoi se “është e rëndësishme të kuptohet që integrimi është një sfidë goxha e madhe dhe përfitimi i madh”.

Përpjekjet për konvergjencë janë patatetike dhe ky është fakt. Një nga vendet fqinje merr nga BE rreth 400 mijë për qytetar ndërsa ne këtu marrim rreth 130 për qytetar. Ekziston dëshpërim në këtë drejtim. Gjatë viteve kemi ardhur në këtë pikë.  Nëse duam të jemi të gatshëm duhet të sakrifikoni të jepni diçka për veten”.

Kreu i qeverisë shqiptare ravijëzoi se “duhet ë harrojmë ngjyrën e flamujve të grindjeve. Flamuri jonë duhet të jetë ai i BE”.

“Derisa BE të na bëjë pjesë të saj, të bëjmë treg të përbashkët në Ballkanin”.

Rama theksoi se “Shqipëria nuk është aq patriotike. jemi të gatshëm të punojmë me të gjithë, të ju ndihmojmë të gjithëve”.

Liderët e Ballkanit Perëndimor janë mbledhur këtë të hënë në kryeqytetin maqedonas për të diskutuar mbi të ardhmen e politikës së zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE) dhe planin e rritjes ekonomike prej 6 miliardë euro të Komisionit Evropian (KE) për vendet e Ballkanit Perëndimor – një paketë madhore e asistencës financiare për periudhën 2024-2027.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski,është nikoqir i takimit, ndërsa përveç kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, marrin pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kurse prezent do jetë edhe James O’Brien, Ndihmës-Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën.

Në Shkup janë ftuar edhe përfaqësues të organizatave rajonale (RCC) dhe institucioneve të tjera financiare ndërkombëtare për bashkëpunim, përfshirë përfaqësues të Tregtisë së Lirë në Evropën Qendrore (CEFTA) dhe Agjencisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).

Gjashtë vendet e rajonit – Shqipëria, Kosova, Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – synojnë të anëtarësohen në BE dhe janë në faza të ndryshme të arritjes së këtij qëllimi, ndërsa plani i rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor përfshin investime prej 6 miliardë euro dhe akses në tregun e brendshëm të bllokut evropian në fusha të caktuara.

E krahas Shqipërisë, Kosovës, Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Turqisë, për herë të parë, paketa investuese e BE-së do të përfshijë gjithashtu dy vende të reja – Ukrainën dhe Moldavinë. Plani do të ekzekutohet pas përmbushjes së reformave të kërkura, kryesisht sa i përket përshtatjes së kornizës ligjore të BE-së dhe aspekteve të sundimit të ligjit.

Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, në fund të tetorit të vitit të kaluar qëndroi për vizitë në Kosovë, në kuadër të një udhëtimi katërditor në rajon, gjatë së cilës vizitoi edhe Bosnje-Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, për të diskutuar për bashkëpunimin dypalësh me liderët rajonalë dhe reformat në procesin e integrimeve evropiane.

Në shoqërinë e drejtorit të Përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit të KE-së, Gert Jan Koopman, presidentja Leyen prezantoi detaje të hollësishme për kornizën investuese për Ballkanin Perëndimor në procesin e zgjerimit të BE-së, derisa përmendi edhe hapat dhe planet për përparim të shpejtë të rajonit drejt anëtarësimit të plotë në bllokun e 27 shteteve.

Vizita e presidentes së KE-së erdhi pas takimeve me liderët rajonalë në Tiranë të Shqipërisë në fillim të tetorit në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit, i cili për herë të parë u mbajt jashtë kufijve të BE-së, duke përcjellur një mesazh të fuqishëm për zgjerimin e unionit evropian, pas stagnimit dhe sfidave në procesin e integrimit të mëtejmë të Ballkanit Perëndimor.

Një vëmendje e veçantë pritet t’i kushtohet edhe procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi sepse as Kosova e as Serbia nuk do të mund të përfitojnë nga plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor në rast se nuk do të ketë përparim konkret në përmbushjen e obligimeve që burojnë nga Marrëveshja Bazë (Bruksel, 27 shkurt 2023 dhe Ohër, 18 mars 2023).

“Një parakusht do të jetë që Serbia dhe Kosova të angazhohen në mënyrë konstruktive për të normalizuar raportet mes tyre me qëllim të zbatimit të plotë të të gjitha obligimeve dhe të angazhohen në negociata për një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve”, thuhej ndër të tjera në dokumentin e KE-së të publikuar në tetor të vitit të kaluar.

Në këtë drejtim, ekziston bindja e liderëve se nëpërmjet armiqësive të reja nuk do të arrihen mësymjet politike, posaçërisht zhvillimi ekonomik dhe integrimet euro-atlantike të Kosovës dhe Serbisë. BE-ja dhe SHBA-ja presin që palët të kontribuojnë në krijimin dhe ruajtjen e atmosferës së normalizimit, pajtimit dhe zbatimit të shpejtë.

Të fundit

Aktuale