BE dhe SHBA gati të largojnë qytetarët nga Sudani, pas trazirave

SHFLETO
Vitjon Nina
21.04.2023 20:40
Loading Icons...

Bashkimi Evropian po planifikon evakuimin e qytetarëve evropianë nga Khartoum, kryeqyteti i Sudanit, sapo diçka e tillë të jetë e pranishme, pas trazirave të krijuara dhe një situate aspak të sigurt në shtetin afrikan.

“Janë shtatë shtete anëtare të përfaqësuara në Khartoum dhe ne jemi në kontakt të ngushtë me të gjitha. Ne po përpiqemi të koordinojmë një operacion për evakuimin e civilëve tanë nga qyteti, situata e të cilëve tani është në rrezik të lartë. Ne po punojmë për opsione të ndryshme për të evakuuar njerëzit”, tha një zyrtar i lartë i BE-së lidhur me çështjen.

“Për momentin, vlerësimi i atyre që veprojnë në terren, përfshirë edhe ambasadën e BE-së, është se nuk ka kushte sigurie për të vazhduar një operacion të këtij lloji. Ne do ta ndjekim situatën nga afër, duke pritur çastin kur mund të bëhet”, shtoi ai, ndërsa luftimet mes ushtrisë dhe paraushtarakëve nuk ndalen.

Në historinë e Sudanit, konfliktet kanë qenë gjithmonë në Sudanin e Jugut dhe në provincat në lindje, është hera e parë që ka paqëndrueshmëri në kryeqytet, gjë që është shumë shqetësuese.

SHBA gati për evakuimin e diplomatëve

Shtetet e Bashkuara po përgatiten gjithashtu të evakuojnë personelin diplomatik “në rast nevoje”.

Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, duke konfirmuar se Pentagoni po vendos trupa në rajon për t’u përballur me çdo rrethanë.

Situata në Sudan dhe Khartoum, tha ai, mbetet “shumë e tensionuar” dhe luftimet “vazhdojnë”.

Kirby ftoi gjithashtu qytetarët amerikanë të pranishëm në vend që të “sigurojnë veten”, duke specifikuar se, për momentin, nuk janë marrë vendime përfundimtare.

“Ne thjesht po parapozicionojmë disa kapacitete shtesë pranë, në rast se ato nevojiten. Por dua të theksoj edhe një herë: në këtë moment nuk ka asnjë vendim për të vazhduar me asnjë lloj evakuimi”, përcaktoi ai.

Një autokolonë diplomatike amerikane u sulmua në Sudan të hënën ndërkohë, por askush nuk u lëndua, tha Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken.

“Ky veprim ishte i pamatur, ishte i papërgjegjshëm dhe sigurisht i pasigurt”, u tha ai gazetarëve në Japoni pas bisedimeve të G7.

Sudani është përfshirë prej ditësh nga luftimet vdekjeprurëse midis forcave rivale.

Më herët u raportua se ambasadori i BE-së në Sudan, Aidan O’Hara, është sulmuar në shtëpinë e tij në kryeqytetin Khartoum.

Rreth 185 njerëz janë vrarë dhe më shumë se 1 mijë e 800 janë plagosur në tre ditë luftime në Sudan, sipas OKB-së. Qyteti ka parë sulme ajrore, granatime dhe zjarr të rëndë me armë të vogla.

Si ushtria ashtu edhe një grup paraushtarak i quajtur Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF) pretendojnë se kontrollojnë vendet kryesore në Khartoum, ku banorët janë strehuar nga shpërthimet.