Shqipëria

BBC World nis zbulimin e “Mrekullive të Shqipërisë”


Një prej programeve më të njohur në botë, i transmetuesit “BBC World” ka zbuluar të shtunën e 21 janarit pamjet e para të dokumentarit të titulluar “Mrekullitë e Shqipërisë”.

Ky i fundit, do të eksplorojë mrekullitë e vendit tonë për t’ia paraqitur ato të gjithë botës.

Gazetarja Bettany Hugs shprehet se Shqipëria është një vend i mrekullueshëm, ku mund të gjesh edhe site arkeologjike dhe të njohësh kulturën e vendit.

Fillimisht programi me disa seri ndalet tek qyteti antik i Butrintit.

“114 kilometra nga Italia dhe vetëm 3 kilometra nga ishulli i Korfuzit këtu është siti kombëtar i Butrinit, i shtrirë në 200 hektarë ky park arkeologjik është një udhëkryq i kulturave duke filluar nga antikiteti tek epoka e bronzit dhe ajo otomane”, vijoi gazetarja e BBC.

Dokumentari ndalet më tej tek historia e lashtë e qytetit dhe rëndësia që pati ai për kohën.

“Në shekullin e parë para Krishtit Butrinti ra pre e ambicies së romakëve, të cilët u shtrinë nga Evropa deri në Afrikë dhe Azi. Në shekullin e 4-ët para Krishtit Jul Çezari ishte kokë më kokë me kundërshtarin e tij Pompei i cili kishte stacionin e flotës së tij në atë që njihet sot si Korfuzi”.

Por Butrinti ishte edhe vendi i fushëbetejave të përgjakshme.

“Këtu është pika ku perandori Oktavi mundi mbretëreshën e Egjiptit Kleopatrën dhe të dashurin e saj Mark Antoni”.

Qyteti antik i Butrintit ishte edhe streha e shkrimtarëve të kohës si ajo e këtij momenti ku gazetarja citon poetin Virgjil i cili shkroi vargjet e tij të famshme për Butrintin.

Por për mijëvjeçarë ky vend mbeti i pazbuluar deri në vitin 1932, nga arkeologu italian Luixhi Maria Ugolini i cili ishte me mision nga vetë Musolini për të hedhur dritë mbi Butrintin.

“Këto janë disa nga gjetjet e Ugolinit. Janë statujat e familjes mbretërore që zbukuronin teatrin”.

Dokumentari vë në dukje gjithashtu se Butrinti është siti i parë arkeologjik shqiptar që ka hyrë dhe mbrohet nga UNESCO.

Sipas dokumentarit, ky sit arkeologjik është një nga ato vende ku mitologjia takon realitetin dhe ai është po aq magjik sa vetë mitologjia. Në pjesën e dytë BBC-ja ndalet tek alpet shqiptare.

“Zyrtarisht ato njihen si alpet shqiptare por vendasit i quajnë Bjeshkët e Namuna” .

Në këto alpe mund të gjesh kulla të shumta si ato të ngujimit të ndërtuara në shekullin e 17-të.

Kjo ishte banesa e atyre familjeve që për arsye gjakmarrje detyroheshin të ngujoheshin këtu.

“Familja ime, ne e kemi trashëgimi brez pas brezi, jo ka 389 vite që është ndërtuar dhe kjo ishte kullë e ngujimit, ose e pajtimit”, shprehet njëri prej banorëve.

Një element tjetër i rëndësishëm i shfaqur nga transmetuesi britanik ishte dhe lahuta, një instrument muzikor autokton.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore