Lajme

BBC/Pretendimet false mbi COVID-in dhe vaksinat


Statistikat e gjithë periudhës së pandemisë janë përdorur për pretendime mashtruese dhe false mbi ndikimin e COVID-19 dhe përdorimin e vaksinave.

Kështu ka rezultuar prej një kontrolli të fakteve nga media publike angleze “BBC”, e cila ka identifikuar katër pretendime të fundit.

Pretendimi: Nivelet e djegieve dhe varrimeve nuk janë më të larta se normalja

Vendimi: Kjo nuk është e saktë. Në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, kishte një rritje të ndjeshme të në vitin 2020.

“BBC” tregon se gjatë muajve të fundit, njerëzit kanë shpërndarë të dhëna nga Kërkesat e Lirisë së Informacionit (FOI) rreth djegieve dhe varrimeve në autoritete të ndryshme lokale në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar.

Ata pretendojnë se shifrat nuk janë më të larta se në vitet e mëparshme dhe pyesin nëse ka vërtet ndonjë vdekje të shtuar të COVID-it.

Një shembull i shpërndarë gjerësisht bazohet te të dhënat e lëshuara nga Këshilli i Qytetit të Birmingham-it.

Mirëpo, vetë Këshilli ka konfirmuar për BBC se shifrat e dhëna fillimisht në përgjigje të informacioneve të gabuara ishin të gabuara për shkak të një gabimi në procesin e raportimit.

Dhe në to sugjerohet se shifra e vitit 2020 ishte më e ulëta në gjashtë vitet e fundit.

Por, sipas të dhënave të korrigjuara, kishte 8 mijë e 316 varrosje dhe djegie në vitin 2020, një shifër më e lartë se vitin e kaluar dhe pothuajse më e larta që nga viti 2009.

Ekipi i “BBC-së” ka vrojtuar foton që tregon mbi djegiet kombëtare, duke përdorur shifra nga një organizatë bamirësie, e cila mbledh këto të dhëna.

Dhe organizata e quajtur ‘Cremation Society’ ka numëruar 70 mijë më shumë djegie në vitin 2020 sesa në 2019-n.

Megjithatë, nuk kanë mundur të gjejnë shifra të varrimit kombëtar.

Nga ana tjetër, sigurojnë se ka pasur më shumë se 115 mijë vdekje më shumë mbi numrin e zakonshëm në Mbretërinë e Bashkuar që nga fillimi i shpërthimit.

Pretendimi: Pranimet në spital tregojnë se vaksinat nuk janë efektive

Vendimi: Kjo nuk është e saktë. Vaksinat janë shumë efektive në mbajtjen e njerëzve jashtë spitalit.

Sir Patrick Vallance, zyrtari kryesor shkencor i Mbretërisë së Bashkuar, ka publikuar një korrigjim në lidhje me një statistikë që ai i ishte referuar gjatë një konference shtypi më parë.

“Afro 60 për qind e shtrimeve në spital nga COVID-i nuk janë nga njerëz të vaksinuar dyfish, përkundrazi 60 për qind e shtrimeve në spital nga COVID-i aktualisht janë nga njerëz të pavaksinuar”, ka shkruar ai në platformën Twitter.

Mirëpo, para korrigjimit të bërë prej tij, shifrat ishin përdorur si provë e “dështimit të vaksinës”.

Korrespondenti i “BBC-së” për çështjet shëndetësore, Nick Triggle, i cili ka grumbulluar të dhënat, ka thënë se pretendimet që vaksinat nuk janë efektive nuk janë të sakta.

Duke parë raportin e personave të vaksinuar ndaj të pavaksinuarve në spital, për të është e mundur të tregohet se “vaksinat janë pak më shumë se 90 për qind efektive në mbajtjen e njerëzve jashtë spitalit”.

Pretendimi: COVID-19 nuk është i rrezikshëm për njerëzit jo mbipeshë dhe ata nën 65 vjeç

Vendimi: Kurse studimet tregojnë se shanset për të vdekur nga COVID-19 janë më të larta tek ata që janë mbipeshë dhe mbi 65 vjeç dhe se nuk është e saktë të thuhet se virusi nuk paraqet rrezik për njerëzit që nuk bëjnë pjesë në këto kategori.

Madje, për këtë pretendim, dy tweet-e të fundit nga ligjvënësja republikane e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Marjorie Taylor Greene, rezultuan në një veprim të Twitter-it për ta pezulluar llogarinë e saj për 12 orë.

“BBC” tregon se në një nga tweet-et, ajo pretendoi se COVID-19 nuk ishte i rrezikshëm për njerëzit, të cilët nuk janë mbipeshë dhe ata nën 65 vjeç. Dhe më vonë deklaroi se nuk ishte e gabuar të theksohej mbipesha si një faktor rreziku për COVID-in.

Në fillim të këtij viti, në një raport të lëshuar nga Federata Botërore e Obezitetit, të dhënat për 2.5 milionë vdekje nga COVID-19 ishin nga më shumë se 160 vende.

Dhe se 2.2 milionë nga këto vdekje ndodhën në vendet ku të paktën 50 për qind e popullsisë ishte mbipeshë.

Megjithatë, teksa raporti tregon për një lidhje të fortë midis vdekjeve nga Covid-19 dhe vendeve me norma më të larta të mbipeshës, profesor John Wilding i Federatës Botërore të Obezitetit, thotë se të sugjerosh se njerëzit që nuk janë mbipeshë nuk janë në rrezik është një “lajthitje e plotë”.

Edhe një raport i botuar në Lancet Diabetes and Endocrinology, i cili vëren lidhjen midis Indeksit të Masës Trupore (BMI) dhe ashpërsisë së Covid-19 në Angli, konfirmon lidhjen midis ashpërsisë së Covid-19 dhe vdekjeve te njerëzit mbipeshë.

Pretendimi: Ka dhjetëra mijëra vdekje të pa raportuara nga vaksina COVID-19 në SHBA

Vendimi: Këto raporte, të cilat janë shpërndarë gjerësisht në internet, nuk janë të sakta.

“BBC” tregon se pika fillestare për këto pretendime të gabuara është një bazë e të dhënave e qeverisë amerikane e quajtur VAERS, ku çdokush në Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të raportojë efekte anësore pasi të ketë marrë një vaksinë.

Videot e postuara në platformën TikTok pretendojnë t’u tregojnë njerëzve se si të gjejnë të dhëna në lidhje me vdekjet nga vaksinat COVID-19 në faqen e internetit të VAERS-it.

Në të pretendohet se kërkimi raportoi më shumë se 51 mijë rezultate dhe prova të një “fshehjeje”.

Sidoqoftë, “BBC” ka komunikuar me Qendrat Amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve, të cilët kanë pohuar se metodologjia e përdorur për të kërkuar të dhëna në këtë video ishte e gabuar.

Dhe se shifra e saktë e vdekjeve të raportuara midis njerëzve që morën një vaksinë COVID-19 nga 14 dhjetori i vitit 2020 deri më 19 korrik 2021 është 6 mijë e 207.

Ndër të tjera, “BBC” thekson se sistemi VAERS nuk është krijuar për të përcaktuar nëse një vaksinë ka shkaktuar një problem.

Pra, korrelacioni nuk është i njëjtë me shkakun. Sipas tyre, është e gabuar të nxirret ndonjë përfundim se sa nga këto 6 mijë e 207 vdekje mund të kenë ndodhur për shkak të vaksinës.

Vetë VAERS ka deklaruar se baza e të dhënave mund të përfshijë “informacion të paplotë, të pasaktë, të rastësishëm dhe të pa verifikuar” dhe “nuk mund të përdoret për të përcaktuar nëse një vaksinë shkakton ose kontribuon në një efekt anësor apo sëmundje”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore