Shqipëria

BB: Bizneset shqiptare rritën aktivitetin online gjatë pandemisë


Rreth 20% e bizneseve shqiptare rritën aktivitetet e tyre online dhe shitjet gjatë pandemisë. Një raport i Bankës Botërore (BB) mbi diagnostikimin e E-Commerce në Shqipëri, tregon se firmat shqiptare janë adaptuar mirë me metodat e reja të shitjeve gjatë pandemisë.

Covid i shkaktoi një goditje bizneseve shqiptare, duke i çuar shumë prej tyre në mbyllje. Në anketën e realizuar nga BB-ja, rezulton se 20% e firmave shqiptare të anketuara kanë nisur aktivitetin online ose e kanë zgjeruar atë.

BB-ja e lidh këtë aspekt edhe me rritjen e kërkesave të konsumatorëve mbi shërbimin online. Rreth 55% e të anketuarve nga BB-ja, pranuar se blerjet i kryenin online tashmë.

Firmat shqiptare kanë qenë shumë elastike në zhvillimin e biznesit të tyre. 77% e firmave janë adaptuar mirë pas pandemisë. Jo të gjitha online, por edhe nëpërmjet metodave alternative. Telefonatat, shërbimet delivery, kanë qenë ndër më të përdorurat nga bizneset.

Përsa i përket punës nga shtëpia, vetëm 15% e kompanive i kanë kaluar punonjësit në punë të plotë online. Kjo shifër është sa gjysma e vendeve si Bullgaria apo Kroacia.

Një rritje falë punës online ka parë edhe sektori i eksporteve. Një pjesë e firmave raportojnë rritje eksportesh me 30% gjatë 2020-ës.

Sektori i biznesit ka marrë ndihma mesatare të drejtpërdrejta. Shqipëria, sipas raportit, ka ndihmuar bizneset më pak se sa Italia, Greqia apo Kroacia. Gjithsesi, krahasuar me Bullgarinë, Gjeorgjinë dhe Moldavinë, ndihma ndaj biznesit ka qenë më e madhe.

Mbështetja më e madhe, ka shkuar për pagat e punonjësve. Përshpejtimi i digjitalizimit të bizneseve ka qenë gjithashtu i mirë, përmbyll raporti./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore