Stil

Bazilikat në truallin iliro-shqiptar me vlera të mëdha kulturore e arkitektonike


Rreth 30 bazilika, deri më tani janë zbuluar në hapsirën gjeografike të banuara me shqiptarë.

Cilësia dhe numri i madh i këtyre monumenteve artistike të realizimit të tyre si dhe përmasat shpeshherë gjigante tregojnë se në trevat iliro-shqiptare, arkitektura kishtare, veçanërisht në shek. VI, kishte marrë një zhvillim të madh.

Bazilikat në përgjithësi ndaheshin në tri hapësira kryesore, (nefe) nëpërmjet një sistemi arkadash mbi pilastra apo mbi kolona ku mbuloheshin me çati mbi kapriata druri (varianti helenistik) ose me qemerë (varianti oriental). Kurse dyshemetë e bazilikave në pjesën më të madhe kanë qenë të shtruara me mozaikë.

Sa i përket gjetjeve arkeologjike mund të thuhet se kanë qenë të suksesshme. Vetëm në qytetin antik të Bylisit, brenda mureve rrethuese të ngritura nga Justiniani I, janë zbuluar pesë bazilika të mëdha.

Absida ku vendosej altari, ndodheshin në anën lindore kurse hyrja kryesore ndodhej nga perëndimi ku paraprihej në të shumtën e rasteve nga një para-sallë (narteksi).

Në bazilikat me sipërfaqe më të madhe kishte edhe një oborr të hapur me kolona (atrium) si dhe ambiente të tjera ndihmëse (Bazilika e Arapajt-Durrës).

Më të rralla janë ndërtesat e kultit të cilat kanë një planimetri qendrore. Karakteristikë e tyre është ndërtimi rreth një ambienti kryesor, që ndodhet në qendër të ndërtesës. Ndryshe nga bazilikat, në këto ndërtime mbizotëron boshti vertikal kundrejt atij gjatësor.

Ndërtesat që mbuloheshin në të shumtën e rasteve me kupolë, përbëjnë veçoritë themelore të arkitekturës bizantine në shekujt në vazhdim, pra pas shekullit VI-të.

Deri më tani janë zbuluar dy ndërtime të mirëfillta me planimetri qendrore, pra ajo e Baptisterit të Butrintit dhe Kisha e Linit (Pogradec).

Që të dyja shquhen edhe për vlerat e mëdha artistike të mozaikëve në dyshemetë e tyre.

Baptisteri i Butrintit është monument i rëndësishëm i periudhës paleokristiane. Ky monument përbëhet nga salla e pagëzimit dhe nga një sallë ndihmëse në veri të saj. Që të dy këto hapësira janë të shtruara me mozaikë.

Salla e parë është në formë rrethore në plan dhe ka diametër prej 13.50m e brendashkruar me një kuadrat prej dy radhësh të kolonave prej graniti.

Figurat e mozaikut, kryesisht janë nga bota e kafshëve. Ato janë vendosur në 69 medalione, në shtatë rrathë bashkëqendrorë, që ndërpriten nga dy skena. Salla mendohet të jetë mbuluar me sistem qemerësh e kupolë qendrore mbi kolonat.

Është ndërtuar në mesin e shek.VI-të. Edhe salla tjetër përafërsisht drejtkëndëshe, është e shtruar me mozaik me motive nga bota shtazore me figura gjeometrike.

Mozaikët kanë vlera të veçanta artistike dhe zbukurimorja paraqet karakteristika të përbashkëta për një krahinë të gjerë që nga Vjosa deri në Nikopojë.

Bazilika paleokristiane e Linit, ndodhet në pjesën perëndimore të Kepit të Linit. Ajo përfaqëson një nga monumentet më të rëndësishme të Shqipërisë. Struktura ishte e dekoruar me mozaikë shumëngjyrësh me motive floreale, gjeometrike dhe skena eukaristike, tipike të periudhës paleokristiane.

Gërmimet arkeologjike dhe të dhënat numizmatike mbështesin datimin e bazilikës dhe të dyshemesë me mozaik në shek.V–VI. Bazilika e Linit ka një strukturim tre-kondor, me naos, kapela anësore, baptister dhe atrium.

Kisha ka qenë dekoruar me mozaikë polikrom që shfaqnin motive gjeometrike, floreale dhe skena eukaristike, tipike të periudhës paleokristiane.

Gjetjet arkeologjike dhe të dhënat numizmatike mbështesin datimin e monumentit në shek.V–VI. Gjatë inkursioneve bullgare të shek.IX-të kisha u dogj dhe u braktis.

Kisha e hershme e Linit është shpallur monument kulture i kategorisë së parë qysh në vitin 1973. Kisha plaeokristiane e Linit ndodhet në pjesën perëndimore të Kepit të Linit, duke pasur një pamje të gjerë mbi liqenin e Ohrit dhe zonën përreth.

Në shekujt e parë të mesjetës, që u karakterizuan nga pushtimet avaro-sllave, të cilat sollën si pasojë shkatërrimin e shumë qyteteve dhe kështjellave si dhe shndërrime të mëdha etnike në Ballkan.

Kjo solli edhe një rënie ekonomike në rajon ku për pasojë kishte edhe rënie në fushën e ndërtimeve civile apo edhe të atyre të kultit.

Nganjëherë, në ndonjë rast shpenzimet kalojnë në favor të fortifikimeve, si në Butrint ku një pallat peshkopal mbeti i papërfunduar, ndërkohë që rindërtohet një mur mbrojtës në shek. VII.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore