Sport

Bayern-i gjymtohet pas ndeshjes me PSG-në


Bayern Munich-u dhe PSG-ja u përballën në ndeshjen e parë të çerekfinales së Ligës së Kampionëve. Gjermanët u mundën në shtëpi me rezultatin 2-3. Sikur të mos mjaftonte humbja, bavarezët kanë marrë lajmin se Leon Goretzka dhe Niklas Sule, u dëmtuan gjatë këtij takimi.

Bayern-i u përballë me PSG-në, pa super yllin e tyre, Robert Lewandowski-n, që u dëmtua gjatë ndeshjeve të kombëtareve. Më pas ata mësuan infektimin me Covid-19 të Serge Gnabry-t dhe tanimë mund të humbin dhe dy titullarë të tjerë.

Hansi Flick, tekniku i Bayern-it, konfirmoi pas ndeshjes dëmtimet e Sule-s dhe Goretzka-s.

“Të dy, Leon dhe Niklas kanë dëmtime muskulore. Ata do t’i nënshtrohen testeve që do të tregojnë se për sa kohë do të qëndrojnë jashtë”, tha Flick.

“Ne supozojmë se ata nuk do të jenë pjesë e skuadrës për këtë fundjavë. Sa për javën e ardhshme, do të duhet të shohim”.

Flick gjithashtu foli rreth ndeshjes, ku vlerësoi performancën e ekipit të tij.

“Parisi luajti me shumë efikasitet. Ne e diktuam lojën, patëm 31 gjuajtje dhe unë do të lavdëroj ekipin tim për mentalitetin e tyre dhe mënyrën se si ata luajtën futboll”.

“Na mungonte efikasiteti përpara portës, por na mbetet një ndeshje në Paris dhe ne do të japim gjithçka për të marrë një rezultat pozitiv që ne të ndryshojmë gjërat. Ne duam të arrijmë në gjysmëfinale dhe rezultati sot nuk e ndryshon atë”.

Bayern-i përballet me Union Berlin-in në Bundesligë të shtunën, përpara se të shkojë në ndeshjen e kthimit në Ligën e Kampionëve në Paris.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore