Sport

Bastien Toma nuk e sheh Kosovën si zgjedhje të parë


Futbollisti me prejardhje nga Kosova, Bastien Toma, nuk e sheh veten të luajë për Kombëtaren e Kosovës në të ardhmen.

Toma në një intervistë të dhënë për mediat zvicerane, ka shprehur haptas dëshirën për të përfaqësuar kombëtaren e Zvicrës.

I pyetur nga gazetarët se kë ka zgjedhur të përfaqësojë në të ardhmen, mesfushori nga Vitia tregoi që pret një ftesë nga Zvicra.

“Kohëve të fundit kam pasur bisedime me Kosovën, por unë do të doja të luaja për ekipin e Zvicrës. Në fund do të bëjë një zgjidhje nga zemra, sepse unë marr vendimet për veten time dhe jo agjentët e mi, apo familja ime, sepse do të jem unë vetëm në fushë ai që do t’i mbrojë ngjyrat e njërit prej këtyre kombeve”, theksoi fillimisht Bastien Toma.

Pavarësisht kësaj përgjigjeje, Toma u pyet përsëri nga gazetarët se cila do të ishte zgjidhja e preferuar e tij, dhe ai këmbënguli se Zvicra është para Kosovës.

“Siç e thashë, është zgjedhje e ndërlikuar. Nëse më thërret ekipi i Zvicrës, do të ishte kulmi i karrierës time. Unë kam luajtur për kategoritë e ndryshme të Zvicrës që prej moshës shumë të re”, shtoi më tutje futbollisti 22-vjeçar.

Kujtojmë që Bastien Toma aktualisht është pjesë e ekipit belg, Genk, tek të cilët u transferua në shtator të vitit 2020 nga skuadra zvicerane, Sion.

Ai e filloi karrierën pikërisht tek Sion-i, ku pati paraqitje shumë të mira, çka bëri që skuadra të mëdha të interesoheshin për të.

Ai ishte pjesë e të gjitha skuadrave zingjirë të Zvicrës, derisa për grupmoshat U21, Toma ka pasur 18 paraqitje, ku ka realizuar dy gola.

Bastieni e përfaqësoi Zvicrën U21 për herë të fundit në vitin 2018 dhe më nuk ka të drejtë ta bëjë për shkak të moshës mbi 21 vjeç.

Që prej atëherë, ai është në pritje të thirrjes nga Zvicra A, ndërkohë që Kosovën e ka lënë në pritje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore