Kampionate

Bastet në futboll, Kina përjashton përjetë 43 lojtarë dhe trajnerë


Federata Kineze e Futbollit ka marrë një vendim të fortë, duke i ndaluar përgjithmonë 43 persona, përfshirë 38 lojtarë dhe pesë drejtues klubesh, të akuzuar për baste dhe trukime ndeshjesh.

Lëvizja u raportua të martën nga agjencia shtetërore e lajmeve “Xinhua”, pas një hetimi dyvjeçar për korrupsionin në futbollin kinez, ku përfshiheshin 41 ekipe.

Sipas Ministrisë së Sigurisë Publike, nga analiza rezultoi se janë rregulluar 120 ndeshje. Mes të skualifikuarve janë edhe tre ish-lojtarë të kombëtares kineze: Jin Jingdao, Guo Tianyu dhe Gu Chao.

Disa futbollistë të huaj, si Son Jun-ho nga Koreja e Jugut dhe kamerunasi Ewolo Donovan, morën dënime më të shkurtra, të kufizuara në pesë vjet.

Vitet e fundit, liga kineze kishte tërhequr shumë lojtarë të huaj falë investimeve të konsiderueshme, por situata ka ndryshuar në mënyrë drastike. Pas pandemisë, në vitin 2023, vlera e përgjithshme e ekipeve u përgjysmua në krahasim me tre vjet më parë.

Planet e mëdha të presidentit Xi Jinping për ta shndërruar kombëtaren kineze në një nga më të mirët në botë kanë pësuar një goditje të rëndë. Federata është tashmë në qendër të skandaleve të ndryshme korruptive dhe shumë investime të huaja në futboll janë bllokuar.

Në futbollin vendas ka pasur falimentim të dhjetëra skuadrave. Krahas kësaj, mes kampionateve jo-evropiane, ai kinez tashmë duket i harruar, veçanërisht pas ngritjes së erës së re të Arabisë Saudite.

Situata është rënduar edhe më shumë nga disfatat e fundit të kombëtares për të rriturit, e cila humbi 7-0 ndaj Japonisë dhe më ngushtë 1-2 ndaj Arabisë në kualifikueset për Botërorin 2026.

Ky skenar kompleks nxjerr në pah sfidat që kanë kinezët. Futbolli duhet të përballet për të rifituar besueshmërinë dhe konkurrencën. Tani, topi po lëkundet mes fushës dhe federatës. Duhet diçka, diçka e re ose ndoshta thjesht më shumë transparencë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore