Përballje

Basketbollistet e Kosovës pësojnë humbje nga Luksemburgu


Pas fitores një ditë më parë ndaj Qipros, tani basketbollistet kosovare kanë pësuar humbje nga Luksemburgu me rezultat 65:94, në kuadër të FIBA Kampionatit Evropian për Shtete të Vogla.

Kosova e filloi shumë mirë ndeshjen, duke qenë në epërsi 6:1, por më pas kishte një rënie që ndikoi edhe në rezultat, duke humbur periudhën e parë 12:18.

Luksemburgu vazhdoi me lojë të mirë, duke arritur epërsinë më të lartë 25:42, derisa pjesa e parë përfundoi 30:46.

Perioda e tretë ishte kryesisht e barabartë, 22:29, derisa rezultati pas 30 minutash ishte 52:75.

10 minutat e fundit të ndeshjes ishin formale dhe Luksemburgu në fund triumfoi me shifrat 65:94.

Te Kosova u dallua basketbollistja amerikane, Alexis Tolefree me 23 pikë.

Për Kosovën kjo ishte ndeshja e dytë radhazi për dy ditë, pas asaj ndaj Qipros, derisa Luksemburgu kishte pushuar dje dhe kjo ishte sfida e parë në këtë garë, duke bërë që të jetë më i freskët në ndeshje.

Kosova e përfundon grupin me një fitore dhe një humbje, kurse Luksemburgu nesër do të përballet me Qipron, ku do të vendoset se cilat do të jenë dy kombëtaret që do të kualifikohen në gjysmëfinale.

Por, shpresat për Kosovën nuk kanë mbaruar ende, pasi që dy skuadrat e para në grup do të kualifikohen në gjysmëfinale dhe Kosova duhet të presë sfidën e së enjtes mes Luksembugut dhe Qipros.

Derisa, në grupin tjetër bëjnë pjesë Irlanda, Malta dhe Andorra.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore